Basha takim me strukturat drejtuese të qarkut Gjirokastër: Të jemi gati për përballjen me pushtetin

Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të Qarkut Gjirokastër, nga ku deklaroi se ka nisur puna për riorganizimin dhe forcimin e partisë.
Duke u ndalur te dosja e inceneratorëve, Basha shprehet se është dëshmi se Kryeministri Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korrave.
“Me strukturat drejtuese të Qarkut Gjirokastër nisëm punën për riorganizimin e forcimin e Partisë Demokratike. Pa humbur kohë duhet të jemi gati për përballjen me një pushtet që punon kundër interesave të qytetarëve.
Dosja e Inceneratorëve, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve”, tha Basha.
Ky i fundit vuri theksin te lufta pa kompromis kundër korrupsionit, duke thënë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për Shqipërinë, përveçse pastrimit të politikës nga ata të cilët shpërdoruan besimin e qytetarëve dhe ju shërbyen interesave korruptive e klienteliste.
“Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë.
Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë”, u shpreh ai.
/rtsh.al/