Vlorë, Lulzim Basha: Do të kërkojmë hetim parlamentar për fondet e IPARD

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtues politik të Qarkut të Vlorës, deklaroi se me nisjen e punimeve të parlamentit do të kërkojë hetim parlamentar për fondet e IPARD, të cilat, sipas tij, “u devijuan për projekte dhe afera korruptive“.
Basha argumentoi kërkesën për hetim parlamentar me qëllim që të zbardhet fakti se “ku shkuan paratë e taksapaguesve europianë”.
Basha, që nga Vlora, deklaroi se ka nisur puna për riorganizimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike dhe aksionin e saj politik, për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë të fortë, efikase dhe alternativën që ata presin dhe meritojnë.
“Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti që u pa edhe nga Dosja e Inceneratorëve ku qeveria është përgjegjëse për vjedhjen e 430 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve për bujqësinë të programit IPARD tregon babëzinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE. Prandaj ne do të kërkojmë:
Hetim parlamentar të fondeve IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive.”- deklaroi Basha.
Sipas tij, fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta është fillimi i fundit të tranzicionit dhe ndryshimi i vërtetë që shqiptarët presin.
/rtsh.al/