Basha takim me të rinj, premton angazhim të rinisë në politikë dhe vendimarrje

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpreh bindjen se ndryshimi i vendit mund të vijë vetëm nga të rinjtë. Në një takim me ta, Basha tha sot se duhet të rritet roli i të rinjve në politikë dhe vendimarrje. “Jam mbështetës i vendosur i përfshirjes së rinisë në politikë. Fytyra e ndryshimit në Shqipëri, gjithmonë fytyra e rinisë. Qëllime djallëzore synojnë delurajimin e rinisë. Brezi i ri të trajnohet për të ushtruar përgjegjësinë individuale në shoqërinë shqiptare. Qeveria e ardhshme, t’i hapë rrugën rinisë. Pa pjesëmarrjen e rinisë, asgjë s’mund të arrihet. Programi ynë, çlirim i potencialeve të rinisë. Qeveria nuk po sjell investime për punësimin e rinisë. Ne mund të sjellim punësim me paga të larta për rininë.”
Basha tha se në qeverisje do të ketë prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve. “Në planin tonë, mundësitë e Shqipërisë janë që çdo vit 10 mijë më të mirët të përfitojnë një stazh 1 vjeçar me një pagesë prej 300 mijë lekë të vjetra në muaj, për të bërë urën nga bankat e shkollës tek tregu i punës. Prioritet absolut në programin e Arsimit të lartë, është kthimi i arsimit të lartë në një platformë të lançimit të rinisë në tregun e punës. Sigurisht, për këtë duhet të ketë treg pune. Prandaj, prioriteti kryesor është ekonomia, është hapja e vendeve të punës. Nuk mund vetëm të flasim, duhet të veprojmë. Qeveria nuk vepron ndryshe përveçse me buxhet, me politika me vizion, me politika me vendimmarrje fiskale dhe financiare. Sa i përket praktikës në tërësi. Në Europë çelësi i suksesit të rinisë është që pothuajse gjysmat e fondeve i harxhon për praktikë dhe kjo është pjesën e Reformës së Arsimit, nuk është thjesht anullimi i ligjit të arsimit të lartë apo financimi i tarifave bachelor dhe master. Edhe kjo është plotësisht e mundur. Për të gjitha familjet me të ardhurat nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj mund të financohet 100%, subvencionon 100% tarifa, pra që mos paguajë tarifë as për bachelor as për master”, –premtoi Basha