E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha nis riorganizimin e PD-së: Modernizimi dhe hapja do sjellë ndryshimin e vërtetë

Kreu i sapo zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur takimet me drejtuesit politikë të kësaj force politike. Pasditen e sotme ai është ndalur në Qarkun e Durrësit për riorganizimin e Partisë Demokratike.

Sipas Bashës, modernizimi dhe hapja e kësaj force politike për të përfshirë të rinjtë dhe intelektualët për të sjellë ndryshimin e duhur.

“Me drejtuesit politikë të Qarkut të Durrësit nisëm punën për riorganizimin e Partisë Demokratike.

Modernizimi, hapja, përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave, e intelektualëve dhe specialistëve të ndershëm, janë prioriteti ynë për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë që reflekton ambiciet e tyre për një ndryshim të vërtetë”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Lulzim Basha u zgjodh kryetar i PD-së në zgjedhjet e së shtunës kur mori 16 196 vota, ndërsa rivali i tij, Gjergji Hani arriti të fitojë 1657 vota.

Në një mesazh të tij për demokratët, por edhe për shqiptarët, Basha premtoi një vizion të ri jo vetëm në ndërtimin e partisë, por edhe në marrëdhëniet me qytetarët shqiptarë.

Basha ka falënderuar edhe rivalin në garë, Gjergji Hani, i cili ishte i pranishëm, për mënyrën se si ai zhvilloi garën duke e bërë nga më të bukurat dhe më dinjitozet.

“Pjesëmarrja me mijëra në votim në këto temperatura të nxehta të kohës, por dhe artificiale meriton një falënderim të veçantë. Falënderim edhe për strukturat drejtuese të PD-së që organizuan një proces shembullor të denjë për ambiciet dhe standardet që kemi shpallur dhe që do t’i mbajmë.

Falënderim i veçantë për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj PD, e ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash ashtu si i takon garës. Jam i vetëdijshme për sfidat ku ndodhet PD. Lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërteta dhe ca të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë, pa liri, pa barazi para ligjit”, u shpreh pas fitores kreu i ri i Partisë Demokratike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›