E Martë, 3 Nëntor 2026

Zjarrvëniet/ Rama: Policia kap autorët, gjykatësit nuk i dënojnë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se prokurorët dhe gjykatësit nëpër rrethe nuk ndëshkojnë sipas ligjit të gjithë autorët e kapur në zjarrvënie.

Duke vlerësuar punën e Policisë së Shtetit për kapjen e zjarrvënësve, kreu i qeverisë thekson se prokurorët dhe gjyqtarët në rrethe nuk zbatojnë ligjin, teksa sipas tij kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrëvënësit.

“Policia e Shtetit po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbërta.

Në 79 raste zjarrvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht.

20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit”, shkruan Rama në rrjetin social në Facebook.

Kryeministri bëri të ditur se ndryshimet e reja në Kodin Penal janë të ashpra dhe zjarrvënia dënohet deri në 15 vjet burg.

Për këtë arsye, ai u ka bërë apel prokurorëve dhe gjykatësve që po hetojnë rastet e zjarrëvnies që të zbatojnë rreptësisht ligjin.

“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrëvënësit.

U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë.

U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit”, shkruan më tej Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›