E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha takon një çift pensionistësh, premton rritje të paktën me 5% të pensioneve çdo vit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi këtë të premte një çift pensionistësh në Tiranë, për të folur më gjatë efektet pozitive që do të sjellë programi ekonomik i PD-së. Zoti Basha theksoi se plani i demokratëve përmbush nevojat e pensionistëve. “Për 2 vjet, për një koncept, për një plan që të ju përgjigjet nevojave të tuaja, por njëkohësisht të jetë i zbatueshëm. Ky është plani që ju përgjigjet nevojave tuaja dhe është i zbatueshëm dhe bën të mundur që jeta juaj të jetë pak më e mirë dhe qeveria të jetë në krahun tuaj. Qeveria të mendojë për ju, të jetë në krahun tuaj, mos të jetë pa rrugë, por të jetë më shumë lekë në xhepat tuaj, më shumë ushqime në tavolinën tuaj dhe pak më shumë siguri dhe vendin që meritoni të keni në shoqëri, për të gjithë atë sakrificë që keni bërë. Na keni rritur brezin tim, jeni shembull për ne që jemi prind tashmë që të bëjmë edhe ne të paktën të njëjtën sakrificë dhe të njëjtën devotshmëri me fëmijët tanë. ” tha lideri demokrat.

Kreu i PD Basha u ndal në veçanti tek programi për rritjen të paktën me 5% të pensioneve çdo vit. “Nevoja më e madhe është për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, sepse ekonomia ka qenë e shkatërruar. Askush nuk e ndjen këtë më shumë në xhepa dhe në tavolinë sesa ju vet pensionistët. Unë i kam të dy prindërit pensionist. Nënën e kam arsimtare me pension njësoj si ju. Rritja e pensioneve me programin tonë, është jo më pak se 5%. Dyfishimi, domethënë rritja sa dyfishi i inflacionit, por jo më pak se 5% në çdo rast. Tani ju vet i bëni llogaritë, sa merrni dhe çfarë do të thotë kjo për pensionit tuaj mujor. Me këtë lloj rritje ne shpresojmë që brenda një kohe jo të gjatë, pensionet shqiptare në tërësi mesatarja e tyre të kap dhe të dal mbi mesataren e pensioneve të rajonit. Pra, një sërë masash të cilat kanë për synim në radhë të parë të stabilizojnë, të normalizojnë dhe të rimëkëmbin ekonominë. Por duhet me filluar me atë pjesë të popullsisë e cila është më e goditura, që jeni ju. Se përllogaritet që janë afro 650 mijë pensionist. Pensionet shumica prej tyre i kanë në nivelin e mbijetesës”, tha zoti Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›