E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha urdhër prefektëve, për mbarëvajtjen e sezonit turistik

Ministri i Brendshëm kërkon monitorim të plotë të situatës gjatë sezonit turistik, ndërsa ngarkon si detyrë ndaj Prefektëve paraqitjen e një plani masash brenda datës 5 korrik


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha urdhëroi Prefektët e qarqeve të ngrenë shtabet e punës për çështjet e sigurisë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe të paraqesin planin konkret të masave brenda datës 5 korrik 2010. “Detyra kryesore e shtabit të punës është të sigurojë një koordinim, një bashkërendim të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore, me qëllim sigurimin e një ambienti sa më të sigurt, sa më të qetë dhe sa më të mirë për pushuesit gjatë sezonit të verës” - u shpreh ministri Basha në takimin që zhvilloi me Prefektët dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Plani i masave të shtabeve të punës në nivel qarku do të ndërtohet e zbatohet në bazë të udhëzimit të Ministrit të Brendshëm. Ministri Basha nënvizoi si detyra kryesore sigurinë gjatë sezonit turistik, lehtësimin e kalimit në kufi dhe lëvizjes së pushuesve përgjatë gjithë itenerarit të rrugëve të Shqipërisë, shënimin dhe kufizimin e hapësirave për përdorimin e motorëve të ujit, bashkëpunimin me Inspektoriatin e Mjedisit për problematikën e zhurmave në zonat turistike dhe vendosjen e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë kundër rrezikut të mbytjes. “Shqipëria vitin e kaluar pati një bum rritjeje në numrin e turistëve dhe nuk shënoi asnjë incident domethënës përsa i përket turistëve, pra mbetet jo vetëm në raport me rajonin, por në raport edhe me vendet e tjera të BE një vend shumë i sigurt për të kaluar pushimet, madje po t’i referohemi statistikave më i sigurt se disa vende të tjera ku pushuesit mund të drejtohen ose mund të jenë drejtuar tradicionalisht” - deklaroi Basha. Ministri Basha udhëzoi Prefektët që të monitorojnë edhe kryerjen e detyrave nga pushteti vendor gjatë sezonit turistik. “Detyrat e pushtetit lokal si pastrimet e plazheve nga mbeturinat, sigurimi i ujit të pijshëm, sigurimi i shërbimit shëndetësor 24 orë, sigurimi i shesheve për parkimin e automjeteve, duhet të jenë të monitoruara hap pas hapi nga shtabi i punës”- tha Basha. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u kërkoi Prefektëve të qarqeve që nga data data 5 korrik e deri në datën 15 shtator, çdo të premte të raportojnë mbi aktivitetin, problematikat e trajtuara, vështirësitë, nevojat, në mënyrë që edhe nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe ministrive të tjera të bashkërendohet një mbështetje sa më e fuqishme e përpjekjeve të tyre në terren. Duke përmendur si një përvojë të suksesshme bashkërendimin e veprimeve të të gjitha strukturave, të pushtetit qendror e vendor, për përballimin e situatës së përmbytjeve në fillim të këtij viti, Ministri Basha u shpreh: “Në këtë rast bashkëpunimi të vlejë për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit ndaj pushuesve në veçanti dhe qytetarëve në tërësi dhe konsolidimin e imazhit të vendit tonë si një vend turistik që ofron shumë për qytetarët e vendit, të rajonit dhe më tej, gjatë sezonit të verës”- deklaroi ndër të tjera ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›