Bashia aksion ndaj bllokimit të trotuareve, Topalli: Gjoba bizneseve
Tiranë- Policia Bashkiake e Tiranës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike që janë zënë në manyrë të paligjshme nga tregtarët.
Drejtori i saj, Vullnet Topalli, u ka bërë thirrje subjekteve që kanë zënë hapësirat publike dhe shitësve ambulantë, të zbatojnë ligjin, pasi në të kundërt do të përballen me sanksione, nga gjoba deri në konfiskim të materialeve dhe mallrave të tyre.
Siç e keni konstatuar edhe ju, pothuajse në të gjithë trotuaret e Tiranës, shitës ambulantë, me karroca, me karrige, tavolina, subjekte të ndryshme që zaptojnë trotuaret në mënyrë të paligjshme po vazhdojnë të goditen nga Policia Bashkiake. Aktualisht, kemi goditur rreth 300 subjekte, qoftë me gjobë, qoftë me konfiskime nga ana e Policisë Bashkiake. Janë raste të përsëritura, pasi kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e punonjësve të Policisë Bashkiake. Ne do të vijojmë sërish, çdo ditë, për të pastruar të gjithë trotuaret e Tiranës, në mënyrë që qytetarët e kryeqytetit të lëvizin lirisht. Puna do të vazhdojë jo vetëm në rrugët dhe trotuaret kryesore të Tiranës por edhe në rrugë të ndërmjetme apo brenda blloqeve të pallateve, pasi shitës të ndryshëm ambulantë vazhdojnë të vendosin tavolina dhe karrige apo shesin produktet e tyre në këto trotuare,- tha ai.
Topalli u shpreh se të vetmet subjekte që do të lejohen janë ato që kanë liçencë apo janë taksapagues të rregullt në Bashkinë e Tiranës, duke shtuar se edhe këto subjekte do të lejohen vetëm në hapësirën e lejuar për ta.