E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkë me Limajn e Hoxhajn ikin edhe projektet kapitale

Gjatë 2011-s, ministrat Fehmi Mujota e Ramë Buja kryesisht do të merren me projektet që kanë lënë në gjysmë pararendësit e tyre, Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj. Fare pak projekte do të nisin ata vetë, shkruajnë mediat kosovare. Ministria e Infrastrukturës, që është trashëgimtare e Ministrisë së Transportit, do të realizojë projekte kapitale me kosto rreth 260 milionë euro, të cilat kanë nisur në vitin e kaluar, kur këtë dikaster e drejtonte Limaj. Ndërkaq, vetëm me 4.3 milionë euro do të mbështeten projektet e reja që do të nisin gjatë vitit.

E njëjta situatë është edhe me Ministrinë e Arsimit, të cilën e ka drejtuar Hoxhaj. Projektet e vitit të kaluar që do të vazhdojnë edhe sivjet,  do të mbështeten me 21.5 milionë euro. Kostoja që do të tërheqin ato është jo më e madhe se 1,7 milionë euro.

Janë pikërisht Limaj e Hoxhaj që janë vlerësuar nga kryeministri Hashim Thaçi si ministrat që kanë punuar më së shumti në mandatin e shkuar qeverisës. Thaçi kishte përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet që i siguruan edhe një mandat, me lavdërimin se për vetëm tri vite janë ndërtuar mbi 100 shkolla të reja dhe për ndërtimin e 1.250 kilometra rrugë të reja, plus nisjen e autostradës.

Në vitin e parë të mandatit të dytë, një dinamikë tjetër do të aplikohet për shkollat e rrugët, të cilat kanë marrë “pjesën e luanit” nga shpenzimet kapitale për këto dy dikastere. Ministri i Arsimit do të nisë vetëm një shkollë të re gjatë 2011-s, atë në fshatin Rudnik, e cila ka kosto 1,2 milion euro. Me gjysmë milioni euro do të mbështetet ngritja e infrastrukturës së re dhe renovimi i objekteve ekzistuese për Universitetin e Prizrenit. Gjysmë milioni i mbetur do të shkojë në projekte të tjera që nuk lidhen me infrastrukturën shkollore.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›