Bashkëpunim me vendet e NATO-s për informacionin atomik
11/02/2010 Qeveria hedh një hap të dytë për ndërtimin e centralit bërthamor
Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim vendimin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet palëve në Traktatin e Atlantikut të Veriut (NATO), për bashkëpunimin në lidhje me informacionin atomik. Vendimi i miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë saktëson bashkëpunimin në lidhje edhe me anekset teknike dhe të sigurisë. Ky vendim vjen në rrjedhën e vendimeve të marra nga Qeveria shqiptare, në funksion të aspiratës së saj për mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor, për të prodhuar energji. Vetë Kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar këtë vendim para trupës ministrore, deklaroi se ky përbën një hap përpara në qëllimin për ndërtimin e një centrali bërthamor. Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, miratohet tri javë pasi Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), do të bashkërendojë punën për përzgjedhjen e vendeve në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor. Në mbledhjen e Qeverisë më 20 janar, u hodh hapi i parë drejt ndërtimit të centralit bërthamor. Agjencia Kombëtare Bërthamore për të realizuar misionin dhe objektivat e saj bashkëpunon me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), struktura të ngjashme të vendeve të ndryshme të rajonit dhe të botës, universitete dhe institucione kërkimore, në fushat që mbulon dhe përfshin programi kombëtar bërthamor dhe institucione jofitimprurëse e donatorë të ndryshëm, vendas dhe/ose të huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Sipas vendimit, AKOB do të ketë si objekt të veprimtarisë përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor. Sipas vendimit, Agjencia, e cila është në varësi të Kryeministrit, do të hartojë kuadrin e plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit. Kryeministri Berisha në qëndrimet e tij të shpeshta ka theksuar qëllimin për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor, qëllimi i të cilit do të jetë prodhimi i energjisë.
PS
Socialistët kanë kundërshtuar idenë e ndërtimit të një centrali bërthamor. Ata kanë kërkuar që “të lihen këto shaka të frikshme”. “I madh e i vogël e di se Sali Ahmadinexhat përbën rrezik po të ndezë dhe një shkrepëse, jo më një central bërthamor”, thuhej në qëndrimi e PS-së ndaj ngritjes së AKOB-së.
PD
PD ka vlerësuar si antiglobal kryesocialistin Edi Rama dhe njerëzit e tij më të afërt. Sipas PD-së, “paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historikë e biologjikë”.