E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje mes gjykatës dhe Prokurorisë së Beratit

10/02/2010  Kryeprokurori i qarkut Berat Xhemal Saliaj: Vendimet shumë më të ulëta se pretenca
BERAT- Një vendim i marrë së fundmi nga Gjykata e rrethit gjyqësor në Berat, i cili ka rrëzuar pretencën e dhënë nga ana e organit të akuzës ka rikthyer konfliktin mes dy institucioneve në këtë qytet. Përplasja e radhës ka ardhur për dënimet e ulëta të dhëna nga ana e gjykatës për një grup të akuzuarish për kultivimin të lëndëve narkotike, ndërkohë që kreu i organit të akuzës në atributin dhe të prokurorit të çështjes ka reaguar jo vetëm duke apeluar çështjen në fjalë, por dhe vënë në dijeni për këtë fakt autoritet më të larta në vend me anë të një informacioni shkresor të detajuar, Presidentin Topi, ministrin e Drejtësisë Nishani, si dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kreu i organit të akuzës Xhemal Saliaj duke marrë shkasë nga një vendim i disa ditëve më parë dhënë nga gjykata e rrethit të Beratit, ku janë dhënë dënime disa herë më të ulëta nga ç’është kërkuar nga vetë prokurori i çështjes që në rastin në fjalë është vetë Saliaj është shprehur se kërkon ndërhyrjen e autoriteteve më të larta për të vënë në vend drejtësinë. Në lidhje me letrën zyrtare apo rekursit ligjor, siç e ka quajtur vet kryeprokurori dhe në rastin në fjalë prokurori i kësaj çështje, Saliaj në letrën dërguar Presidentit të vendit Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani si dhe KLD-së, është shprehur për median se kërkon që çështja në fjalë të zbardhet dhe të mbahet përgjegjësi nga personat qofshin këta në organin e Prokurorisë apo në gjykatën e Beratit. Sipas kreut të organit të akuzës ka qenë një vendim gjyqësor i dhënë nga gjykata e rrethit të Beratit, që mban datën 20 janar 2010, vendim i cili sipas Saliaj jo vetëm që ka rrëzuar pretencën e dhënë prej tij, por nuk ka marrë parasysh një sërë provash të pakontestueshme që ishin siguruar për çështjen ne fjalë gjatë arrestimit dhe gjatë hetimit të kësaj çështje. Treshja gjyqësore e kësaj gjykatë më 20 janar i dhanë fund procesit ndaj katër të akuzuarve nga qyteti i Kuçovës, të cilëve rëndonim akuzat e “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe kultivimin e tyre” dhe “matje të municioneve luftarake”. Saliaj sqaron se për këtë çështje në cilësinë e prokurorit në pretencën e tij i kish kërkuar trupit gjykues dënimin me 15 vjet heqje lirie për Ndriçim Koçit bazuar neni, 283/2 dhe 284 të Kodit Penal dhe nga 9 vjet heqje lirie për të akuzuarit e tjerë, Adrian Tabaku, 12 vjet heqje lirie për Ervis Alibehaj dhe 12 vjet për të akuzuarin tjetër Johan Çuko, me akuzat e sipërpërmendura. Por, ndonëse për çështjen në fjalë kishte prova të pakontestueshme që rëndonin mbi autorët e dyshuar Saliaj sqaron për gazetën se gjykata nuk ka marrë parasysh provat e paraqitura nga organi akuzës dhe dënimin që ka kërkuar në pretencën në fjalë prokurori i çështjes. Në këtë rast treshja e gjykatës të Beratit dha ndaj tyre dënimet: shtatë vjet heqje lirie për Ndriçim Koçin nga 15 vjet që kërkoi prokurori, shtatë vjet heqje lirie për Johan Çukon, nga 12 vjet të kërkuara nga prokurori, një vit burg për Ervis Alibeaj, nga 12 vjet të kërkuara nga prokurori, si dhe bënë pushimin e çështjes për Adrian Tabakun, nga 9 vjet burg të kërkuara nga ana e prokurorit të çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›