E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëpunim policor Shqipëri-Kinë, diskutohet për marrëveshje dhe pika e kontaktit kundër krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti në një takim zyrtar Ministër-Këshilltarin e Ambasadës Kineze në Shqipëri, Huang Xuehu. Takimi, që u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë bisedimeve, dy palët ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re dhe krijimin e një pike kontakti të policisë kineze pranë Policisë së Shtetit. Këto hapa konsiderohen si përgjigja më efikase kundër krimit të organizuar ndërkontinental.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishin operacionet e fundit të Policisë së Shtetit kundër shfrytëzimit për prostitucion, ku kanë qenë të përfshira shtetase kineze. Këto shtetase ishin rekrutuar për të kryer këtë veprimtari të kundërligjshme në apartamente me qira në Shqipëri.

Proda theksoi rëndësinë e ndjekjes penale të përgjegjësve dhe theksoi se institucionet shqiptare u kanë ofruar asistencë shtetaseve të përfshira në këto raste.

Nga ana e tij, Ministër-Këshilltari Huang falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu angazhimin e agjencive ligjzbatuese kineze për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›