Bashkëpunimi, Berisha: Onkologjiku të kthehet në institut kërkimor
Kryeministri Berisha vlerësoi dje gjatë takimit me delegacionin e rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG), të kryesuar nga drejtori i Departamentit për Shëndetësinë dhe Politikat Sociale, bashkëpunimin dhe mbështetjen që është dhënë për shëndetësinë shqiptare. Kryeministri u shpreh se vetëm pak ditë më parë kërkoi që të punohet për kalimin e shërbimit të Onkologjisë pranë QSUT-së në Institutin Onkologjik dhe se bashkëpunimi me qendrat më të mira të fushës në rajonin e FVG do ti shërbejë jo vetëm diagnostikimit dhe trajtimit më të mirë të sëmurëve, por dhe përmirësimit të aktivitetit shkencor. Duke vlerësuar përparësitë që ka ky rajon, Kryeministri Berisha u shpreh se çështja e personave me aftësi të kufizuara është trajtuar me kujdes nga qeveria dhe për këtë kategori janë bërë investime të mëdha, megjithatë është shumë e mirëpritur ndihmesa e tyre. Përfaqësuesi i delegacionit, Vladimir Kosic, e falënderoi Kryeministrin për takimin dhe i përcolli përgëzimet dhe një ftesë nga presidenti i rajonit, Renzo Tondo. Kosic u shpreh se ndër prioritetet që ata kanë në politikat e tyre shëndetësore, janë fusha e onkologjisë, çështjet e personave me aftësi të kufizuara, kujdesi për nënën dhe fëmijën, teknologjia e avancuar biomjekësore, menaxhimi i sistemeve shëndetësore etj.