E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja e pacientit, komunikimi, vetëm me mjekun kurues

Komunikimet për sëmundjen e pacientit janë konfidenciale dhe nuk mund të jenë objekt i diskutimeve të askujt tjetër. Kështu është shprehur kreu i shëndetësisë, Petrit Vasili, dje gjatë komunikimit të urdhrit më të ri të këtij dikasteri në lidhje me komunikimin me të sëmurin që mjekohet në spital. Sipas këtij urdhri, ruajtja e privatësisë për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe diagnozës do të jetë e shenjtë, duke shmangur kështu një sërë problemesh dhe kritikash mes mjekut dhe pacientit. Urdhri thotë shprehimisht: Komunikimi me të sëmurin që mjekohet në spital apo familjarët e tij, në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore do të bëhet vetëm nga mjeku kurues apo shefi i shërbimit. Urdhri ka të bëjë me të gjitha komunikimet e pacientëve për sëmundjen e tyre si dhe me të drejtën e konfidencialitetit. Ky urdhër detyron që përgjegjësinë për të komunikuar në lidhje me sëmundjen e ka mjeku kurues dhe në raste të veçanta, të një konsultimi më të gjerë, shefi përkatës i shërbimit, ku një pacient kurohet. Me këtë merr fund njëherë dhe përgjithmonë praktika e gabuar që lë vend për keqkuptime në planin personal, por dhe familjar, për sëmundjen, ku dhe njerëz të tjerë të paautorizuar, mjekë apo infermierë, marrin përsipër të flasin dhe japin opinione në lidhje me një sëmundje të caktuar, duke sjellë kështu keqkuptime dhe konfuzione dhe ndonjëherë dhe konflikte që kanë përfunduar në mënyrë të papëlqyeshme, - u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›