Bashkëpunimi mes RTSH dhe Televizionit Publik Ukrainas – Drejtori Çernoticki në intervistë ekskluzive ndan eksperiencat e transmetimeve në kohë lufte

Nën moton “Ndrysho ose vdis!” me të cilën po përballet media e shërbimit publik në Ukrainë, drejtuesi i rrjetit kombëtar Suspilne Ukraine dha një intervistë ekskluzive për RTSH.
Mykola Chernotytskyi zbulon detaje të menaxhimit të një medie me 4,000 punonjës në kohë lufte. Pas një transformimi të thellë që kjo medie pati falë vizionit dhe strategjisë së kryetarit të bordit drejtues, Mykola Chernotytskyi ka arritur të fitojë një audiencë të madhe.
Me ardhjen për herë të parë në Shqipëri, Chernotytskyi vizitoi ambientet e RTSH, i cili gjithashtu është në një fazë të rëndësishme të transformimit.
“Për mua është një përgjegjësi e madhe përpara audiencës sonë dhe kjo do të thotë që unë dhe skuadra ime jemi në shërbim të audiencës sonë dhe jemi përgjegjës për një gazetari të rëndësishme dhe të pavarur në ditët e sotme… kështu që është një përgjegjësi e madhe për ne.” U shpreh Mykola Chernotytskyi.
Chernotytskyi zbulon për RTSH, duke ndarë me publikun detaje të drejtimit të një medie në një kohë të ekzistencës së ligjit ushtarak dhe alarmit të rrezikut nga shpërthimet e bombave.
“Strategjia jonë quhet E para digjitale. Ne filluam të investojmë që nga viti 2018 dhe tani jemi një burim i besueshëm informacioni për audiencën tonë, por kjo nuk do të thotë që i kemi arritur qëllimet tona. Jo, ky është një proces absolutisht i pandalshëm. Ndryshimi dhe reformimi. Ndrysho ose vdis. Pra duhet të jesh i gatshëm të transformohesh në çdo kohë.”
Media që ai sot drejton është tërësisht në shërbim të publikut dhe audiencës që ka arritur që nga nisja e transformimit në vitin 2018 sipas modelit “E para digjitale”.
Kohë kur ende lufta nuk kishte nisur. Chernotytskyi ndalet tek arsyet që e çuan këtë medie drejt transformimit.
“Së pari për shkak të ambicies që Ukraina ka për në Bashkimin Evropian. Ne filluam të kalojmë nga një media në pronësi të shtetit drejt një medie të shërbimit publik. Kompania jonë u themelua në vitin 2017. Ne e kuptuam sidomos gjatë kohës së luftës, që njerëzit kanë nevojë për lajme të pavarura, të besueshme dhe të verifikuara. Kështu që, për ne transformimi do të thotë një ndryshim i madh… është si të ndryshosh mënyrën e të menduarit dhe duhet të kesh mjaftueshëm durim për ta arritur këtë.”
Ndërsa vizitoi ambientet në redaksinë e informacionit, përkoi rastësisht me një proces pune, teksa stafi po përgatiste për transmetim këtë intervistë ekskluzive që ai dha për RTSH.
/rtsh.al/