E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultivimi i qershisë- Prodhim i ulët për shkak të kushteve atmosferike, fermerët ankesa për çmimin

Ish-veterineri Maliq Haxhani, tashmë në pension, prej vitesh i është përkushtuar bujqësisë, duke kultivuar fruta dhe perime në tokat e tij në zonën e Kosmacit.

Ai tregon se këtë sezon prodhimi i qershisë ka qenë i kufizuar për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë periudhës së lulëzimit, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rendiment. Sipas tij, ndonëse disponon disa dynymë tokë të mbjella me qershi, sasia e prodhimit nuk ka qenë në nivelin e pritshëm.

Sa i përket çmimit, Haxhani thekson një problem të vazhdueshëm për fermerët. Ai shprehet se në burim qershia shitet rreth 300 lekë për kilogram, ndërsa në tregjet urbane dhe në dyqane çmimi arrin deri në trefish. Sipas tij, kjo diferencë e madhe krijohet nga ndërmjetësit dhe dëmton drejtpërdrejt fermerët, të cilët nuk përfitojnë nga rritja e çmimit në tregun final.

Në lidhje me tregun e shitjes, fermeri tregon se shpesh është i detyruar ta shesë prodhimin te grumbulluesit, për shkak të mungesës së alternativave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›