E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi nën hirin e Luftës së Ftohtë

23-12-2012 / Nga Ilirian Dahri

Interesat e përbashkëta janë të shumta por edhe problemet nuk mungojnë. Raportet mes Europës dhe Rusisë me të drejtë janë cilësuar shpeshherë si raporte të vështira. Kështu ka ndodhur edhe gjatë takimit të tridhjetë mes Bashkimit Europian dhe Rusisë. Natyrisht tema kryesore ka qenë ajo e energjisë por në të njëjtën kohë kanë dominuar edhe kritikat e europianëve mbi të drejtat njerëzore dhe shkeljen e tyre në Rusi. Arrestimet me sfond politik të kryera nga policia e Putin –it kanë lënë gjurmët e tyre. Si për kundërpeshë, rusët nga ana e tyre kanë kritikuar hetimin e Komisionit europian për Gazprom –in i cili sipas tyre kërkon të dominojë me të gjitha mënyrat sidomos në tregjet kryesore të Europës Lindore, duke ndërhyrë në çmimet e gazit por edhe të naftës. Sipas përfaqësuesit rus “kjo është një praktikë që ekziston që prej fillimit të shekullit të kaluar”. Kanë qenë fjalë të deklaruara gjatë një konference për shtyp me presidentin e Komisionit, Barrozo dhe presidentin e Këshillit europian, Herman van Rompuy. Kur presidenti Barrozo ishte duke folur për respektimin e rregullave, presidenti rus, Vladimir Putin është dukur hera – herës si ironik duke shtuar pak më vonë se “Presidenti ishte me emocione kur paraqiti këndvështrimin e tij sepse brenda zemrës së tij e di që nuk ka të drejtë”. Shumë prej të pranishmëve kanë buzëqeshur përjashto këtu vetë presidentin Barroso . Por ka patur edhe diçka tjetër, si vendimi i Komisionit për të arritur në një treg unik për energjinë, i paraqitur nga ekzekutivi europian dhe që parashikon se shoqërite prodhuese të gazit dhe naftës nuk mund të menaxhojnë edhe rrjetet mbi të cilat kanë influencë. “Natyrisht Bashkimi (Europian) ka të drejtë që të marrë të gjitha vendimet që i përkasin” – ka kundërshtuar presidenti rus. Por presidenti rus, Vladimir Putin ka folur edhe për vizat e qytetarëve rusë për të cilat prej kohësh po bisedohet për të arritur në një marrëveshje për liberalizimin e lejeve të udhëtimit. Sipas tij – “Çështjet teknike janë zgjidhur. Tani mungon vetëm vendimi politik. Çdo vit shtetasit rusë shpenzojnë deri në 18 miliardë euro në Europë. Duhet të kuptoni se kjo nuk është një shumë e vogël”. I shpejtë ka qenë dhe reagimi i presidentit Barrozo i cili ka kërkuar të shpjegojë se nuk ka ardhur ende koha për të liberalizuar vizat duke i mëshuar faktit se kjo vjen edhe për arsye sigurie. Ndërsa presidenti Van Rompuy ka folur në lidhje  me liritë e shoqërisë civile. Vetëm disa ditë më parë presidenti rus, Vladimir Putin kishte marrë pjesë në një konferencë për shtyp që kishte zgjatur rreth 4 orë dhe ku ishin të pranishëm 1.200 gazetarë. Në atë konferencë Putin kishte folur kryesisht për krizën e Sirisë, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe për presidencën që Rusia ka marrë në G20. Putin ka deklaruar me forcë se po kërkon që Rusia të vazhdojë të punojë për rritjen ekonomike dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. I pyetur për raportet mes Kinës dhe Rusisë është shprehur se: “Raportet me Kinën janë në një nivel shumë të lartë. Do të guxoja të thoja se nuk kanë qenë kurrë kaq pozitive në lidhje me besimin dhe bashkëpunimin” – ka thënë Putin. Natyrisht ka dashur të përmendë se Rusia po shkon gjithmonë dhe më shumë në rritje ekonomike në një kohë kur sipas tij  perëndimorët janë në krizë, dhe se Gdp e vendit të tij është rritur me 3,7% që prej janarit e deri në tetor të vitit 2012. “Një rezultat i shkëlqyer duke parë rënien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rënien e Kinës”. Edhe në temat ndërkombëtare Putin ka dashur të përfshijë Rusinë dhe kontributet e saj. Ka folur për Sirinë duke saktësuar se: “nuk jemi shumë të shqetësuar për të ardhmen e Assad- it. Kuptojmë cfarë po ndodh në atë vend, dhe që një familje ka qëndruar në pushtet për 40 vjet. Është i nevojshëm një ndryshim”. Për problemin e fundit që aktualisht ka Rusia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti rus, Vladimir Putin është shprehur se do të vlerësojë  ndalimin e adoptimeve të jetimëve rusë nga ana e çifteve amerikane pasi të lexojë projektligjin. “Unë e mbështes këtë. Por dua t’i hedh një sy projektligjit”.  Për të qetësuar disi situatën mes dy vendeve, Vladimir Putin ka nënvizuar se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë “nuk janë më  armiq”. Natyrisht Rusia kërkon nga vetja durim për të arritur në kompromise si në ekonomi por dhe në investime.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›