E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ nuk miraton ngritjen e ZAZ-ve, çështja në Kolegj

22-12-2012 / Gazeta 55

Rrëzohen propozimet e PD dhe PS. Lleshi: Procesi zgjedhor, i lirë dhe transparent
 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi në vendimmarrjen për ngritjen e 89 Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për miratimin e projektvendimit nevojiteshin të paktën 5 vota të komisionarëve, kuorumi i të cilave mungoi, edhe pse rezultati i votimit ishte 4 vota “pro” dhe 3 kundër. Pas atij për shpërndarjen e mandateve të deputetëve, që ka shkuar për zgjidhje në Kolegjin Zgjedhor, edhe ky akt pritet të ketë të njëjtin fat, ankimim në Kolegjin Zgjedhor në kushtet e mungesës së konsensusit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Njëkohësisht me rrëzimin e propozimit të administratës së KQZ, anëtarët e komisionit votuan edhe kundër propozimeve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Administrata zgjedhore u paraqit me një variant të ri për ndarjen e ZAZ-ve, që përcaktonte shtimin e numrit të tyre në 89 kundrejt 76, të parashikuara në p/vendimin e mëparshëm të propozuar nga Komisioni më 5 dhjetor, dhe për të cilin PD e PS nuk gjetën konsensus.
Ndonëse gjatë mbledhjes palët u shprehën se projektvendimi për ngritjen e 89 ZAZ-ve ishte në përputhje me ligjin, përfaqësuesit e PD dhe PS paraqitën propozime shtesë për këtë çështje. PD, përmes përfaqësuesit Njazi Kosovrasti kërkoi që projektvendimit për ngritjen e 89 ZAZ-ve, t’i shtohej dhe ngritja e 11 ZAZ-ve të tjera, duke e çuar në 100 numrin e tyre në total. Ai theksoi se, në mënyrë që procesi të jetë sa më i menaxhueshëm, shtimi i ZAZ-ve do kontribuonte në përshpejtimin e numërimit të votave, sidomos në 3 qarqe të vendit ku numri i votuesve është i lartë.
Duke u ndalur në qarkun e Durrësit, Kosovrasti vuri në dukje se nga 3 duhet të jenë 4 ZAZ. Po kështu sipas tij, edhe Korça me Fierin duhet të ndahen me nga 2 ZAZ.
“Jam dakord me 89 ZAZ, por do të doja që të shtoheshin me 11 ZAZ-të, duke shkuar në 100 të tilla. Qyteti i Durrësit, p.sh, duhet të ketë jo 3, por 4 ZAZ, pasi është një nga rajonet me më shumë votues”- tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, mbështeti variantin fillestar të KQZ-së, për të miratuar ngritjen e 76 ZAZ-ve, por me dy ndryshime: ky numër të pakësohej me 1 ZAZ, nga 76 të parashikuara fillimisht numri të ulej në 75. Ndryshimi tjetër i propozuar nga PS lidhej me hartën e zonave zgjedhore në Tiranë. “Nuk mund të kemi qendra ZAZ me 20 apo 30 mijë votues. KQZ të votojë variantin me 76 ZAZ, sikurse propozoj 2 ndryshime, tha Gjoncaj duke shtuar se sfida kryesore e KQZ është kthimi i besimit të zgjedhjeve tek qytetarët. Të dy propozimet e mësipërme u rrëzuan, pasi u hodhën në votim nga kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi. Propozimi i PD-së u hodh poshtë me 7 vota kundër; ndërsa ai i PS-së me 5 vota kundër dhe 2 vota “pro”.
Pasi Komisioni Qendror Zgjedhor s’arriti të miratojë asnjë prej varianteve të propozuara në mbledhjen e djeshme, çështja i kalon Kolegjit Zgjedhor për shqyrtim.
 
Propozimi i KQZ për ngritjen e 89 ZAZ-ve
Sipas Kodit Zgjedhor afati i fundit për ngritjen e ZAZ-ve ishte data 6 dhjetor. KQZ-ja u la në dorë dy partive që të gjejnë me konsensus një numër të përbashkët të KZAZ-ve që do të ngrihen. Si PD ashtu dhe PS, nuk ishin dakord me propozimin fillestar të KQZ-së, sipas të cilit, duhet të ngrihen 76 KZAZ në 12 qarqet e vendit, duke u angazhuar se do të negociojnë për të gjetur një variant të përbashkët. Por, në këto 14 ditë, palët ishin larg qëndrimeve të tyre, çka bëri që ato të mos vinin në KQZ me një draft të përbashkët. Administrata propozoi variantin me 89 KZAZ. “Mbështetur në kriteret për ngritjen e ZAZ-ve sipas pikave 2, 3 dhe 4 të nenit 27 të Kodit Zgjedhor dhe në të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për numrin e zgjedhësve, del se nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet për Kuvend 2009, në Zgjedhjet për Kuvendin të vitin 2013 propozohet të ngrihen 89 ZAZ. Në krijimin e ZAZ-ve janë pasur parasysh kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor: pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë; vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; mundësi të mira komunikimi brenda territorit dhe numër i përafërt zgjedhësish”, thuhet në dokumentin e propozuar nga KQZ.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›