Bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Emirate, falënderime për ndihmën në shuarjen e zjarreve

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti të mërkurën në një takim zyrtar komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjeneralmajor Awad Saeed Al-Ahbabi.
Takimi u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit të thelluar mes dy vendeve, me fokus të veçantë në ndihmën e Emirateve për shuarjen e zjarreve në Shqipëri.
Gjatë takimit, gjenerallejtënant Kingji shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e cilësuar angazhimin e tyre si një dëshmi të fortë të miqësisë dhe solidaritetit.
Që prej dy javësh, dy helikopterë “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve janë dislokuar në Bazën Ajrore të Kuçovës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në operacionet ajrore kundër zjarreve në të gjithë vendin.
Nga ana e tij, gjeneralmajor Al-Ahbabi shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe zgjeruar fushat e bashkëpunimit. Të dy zyrtarët diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes, shkëmbimin e eksperiencave mes forcave të armatosura, dhe rëndësinë e partneritetit për sigurinë rajonale dhe globale.
Pas takimit zyrtar, gjeneralmajor Al-Ahbabi, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Altin Kurti, zhvilloi një vizitë në Bazën Ajrore të Kuçovës.
Aty, ai inspektoi nga afër trupat e Emirateve të Bashkuara Arabe të dislokuara, të cilat janë angazhuar aktivisht në operacionet e shuarjes së zjarreve.
/rtsh.al/