E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë

Blendi Kajsiu 

Kur në vitin 1992 Sali Berisha deklaroi se në raport me diktaturën komuniste shqiptarët janë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor”, disa me të drejtë u shqetësuan, pasi menduan se ai po vendoste shenjën e barazimit mes viktimës dhe xhelatit.  Por natyrisht nuk ishte ky qëllimi i Berishës atëherë dhe as arsyeja se përse kjo shprehje pati aq shumë jehonë tek elektorati shqiptar. Shprehja “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor” nuk shpjegonte mekanizmin e dhunës, por mekanizmin e funksionimit të sistemit komunist. Teorikisht sistemi komunist bazohej tek zbatimi i parimeve dhe i moralit komunist,  realisht sistemi funksiononte nëpërmjet shkeljes së parimeve dhe moralit komunist. Sistemi bazohej tek dyzimi mes asaj që thuhej në publik dhe asaj që ndodhte në realitet. Publikisht udhëheqja komuniste deklarohej në shërbim të popullit, realisht jetonte tek blloku. Publikisht qytetarët shqiptarë ishin të mbytur nga të mirat materiale, realisht në dyqane mungonte gjithçka. Publikisht deklarohej ndërtimi i pronës publike, në realitet ndodhte zhvatja e saj për interesa personale. Shprehja e famshme “ne bëjmë sikur punojmë, ata bëjnë sikur na paguajnë” e përmblidhte më së miri këtë realitet. Të gjithë i besonin gënjeshtrat e njëri-tjetrit, edhe pse e dinin se nuk ishin të vërteta. Komunizmi ishte pra një sistem ku të gjithë shtireshin, deri sa kuptohet në një pikë vetë sistemi u bë i shtirshëm.
Këtu buronte edhe bashkëfajësia që mbante sistemin në këmbë. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se potencialisht dhe aktualisht ishin fajtorë. Çdo punëtor apo kooperativist mund të dënohej se kish vjedhur diçka apo kish ndenjur kot në vendin e punës, dhe me të drejtë pasi këto ishin fenomene masive. Çdo drejtor ndërmarrje mund të dënohej se kish lejuar sabotimin e procesit të prodhimit apo se kish falsifikuar arritjet, çka në thelb ishte vetë kyçi i propagandës komuniste. Përveç diktatorit askush nuk mund të ishte i sigurt se nuk kish shkelur apo gabuar diku. Diku ai ose ajo kish marrë një tollon shtesë, kish bërë apo përfituar një “nder’ jo të ligjshëm nga vendi i punës me parimin se “këtë e bëjnë të gjithë”. E vetmja garanci buronte nga lidhjet personale apo klani, të cilit personi në fjalë i përkiste. Luajaliteti i personit ndaj klanit apo lidhjeve personale buronte nga vetë fakti se ai ose ajo ishin potencialisht dhe realisht fajtorë në raport me ligjet, moralin dhe idealet e sistemit komunist.  Dhe sa më pak qytetarët besonin te parullat dhe morali i regjimit, aq më shumë regjimi mbahej nga luajaliteti që buronte si pasojë e shkeljes së tyre. Pika kulmore e këtij sistemi ishte vetë diktatori, i vetmi që duhet të ishte jashtë çdo lloj faji për të mundësuar fajësimin e individëve në të gjithë hallkat e tjera të sistemit.      Këtu qëndronte edhe perversiteti i sistemit komunist. Ai prodhonte një moral që edhe duhej ruajtur, edhe duhej shkelur. Sikur morali komunist të merrej tërësisht seriozisht, atëherë fajësia apo pafajësia e çdo individi do përcaktohej në raport me këtë moral dhe jo nëpërmjet lidhjeve personale apo klaneve ku ajo apo ai bënte pjesë. Nga ana tjetër, nëse ky moral do të injorohej tërësisht, askush nuk do ishte më fajtor për shkeljen e tij. Për pasojë nuk do kish më vlerë as luajaliteti ndaj klaneve të veçanta, deri tek vetë diktatori, që bazohej tek fakti se çdokush ishte potencialisht dhe aktualisht fajtor. Në këtë mënyrë sistemi komunist ishte pervers, pasi ai në mënyrë publike lartësonte moralin komunist, ndërsa në mënyrë informale inkurajonte transgresionin e tij. Ky ishte pak a shumë edhe thelbi i hipokrizisë, apo i dyzimit të individit në sistemin komunist. Ai ishte i detyruar që ta përqafonte dhe besonte moralin komunist në publik dhe ta shkelte atë në jetën private. Nga këtu buronte një ndjenjë e përgjithshme faji dhe frike, që e bënte të vështirë disidencën apo rebelimin ndaj sistemit.
Këtë lloj bashkëfajësie rrokte edhe shprehja e famshme e Berishës “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor”. Ajo nuk i referohej vetëm faktit se disa kishin spiunuar dhe dënuar disa të tjerë.  Në sistemin komunist spiunimi dhe persekutimi i njerëzve me “njollë në biografi” përbënte një akt legjitim dhe tregonte se individi në fjalë e merrte seriozisht luftën e klasave.  Fajtor ishin dhe ndiheshin ata që për hir të marrëdhënieve personale, njerëzore apo familjare, nuk i spiunonin apo persekutonin qytetarët me njollë në biografi, ndonëse publikisht mbështesnin luftën e klasave. Me rënien e sistemit komunist koncepti i bashkëfajësisë i përfshinte tashmë të dyja palët, si ata që dje nuk kishin përmbushur idealet e sistemit komunist, ashtu edhe ata që duke i përmbushur këto ideale dje, ishin sot persekutorë. 
* * *
Po ç’lidhje ka ky mekanizëm me shoqërinë shqiptare sot?  Sistemi moral i bashkëfajësisë vazhdon të operojë edhe sot në skenën tonë politike. Më shumë se kudo kjo vihet re tek hendeku mes asaj që artikulohet publikisht dhe asaj që ndodh realisht. Ky hendek po mbushet gjithnjë e më tepër nga një hipokrizi transparente, që zbulon më shumë se fsheh. Përse kryeministri deklaron se Gërdeci do të hetohet në çdo qelizë, kur të gjithë e dimë se ai jo vetëm nuk e dëshiron diçka të tillë, por nuk është as prokuror? Përse Rama deklaron se po dëgjoj zërin e qytetarëve, kur është kundër referendumit popullor për Kushtetutën? Dhe ky nuk është një fenomen i kufizuar tek skena jonë politike. Edhe qytetarët që denoncojnë sjelljen e politikanëve në emër të një morali publik, shpesh janë të bindur se edhe ata vetë do silleshin në të njëjtën mënyrë po të ishin në pushtet. Në këto kushte çudia më e madhe është përse akoma flitet për vlera apo parime, sidomos pikërisht nga ata që i shkelin ato në sy të të gjithëve? Arsyeja është se bashkëpunimi politik, ekonomik apo social në Shqipëri më shumë sesa nëpërmjet moralit apo parimeve që artikulohen publikisht, garantohet nëpërmjet shkeljes së tyre. Sistemi ynë politik, ligjor dhe ekonomik e bën tejet të vështirë të jesh në rregull njëkohësisht me ligjet, parimet demokratike dhe moralin publik nga njëra anë dhe me detyrimet dhe interesat personale nga ana tjetër. Në politikë, media apo ekonomi bashkëpunimi mes palëve, përveç interesit personal sigurohet nga shkelja e përbashkët e një norme apo parimi të caktuar publik apo ligjor. Veçanërisht në sistemin politik është ky “partneritet në krim” që i mban palët bashkë. Në këtë aspekt deklarata e Berishës në vitin 1992 “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës” më shumë sesa të kaluarës i drejtohej të ardhmes. Sot potencialisht dhe aktualisht çdokush ka kryer një shkelje. Por nëse individi është fajtor ose jo, nuk përcaktohet nga shkelja konkrete, por nga pozicioni social apo politik ku ai ose ajo ndodhet. Sa më e madhe shkelja, aq më i madh edhe luajaliteti ndaj grupit, klanit apo partisë politike që e strehon individin për shkeljen e ligjit apo të moralit publik. Prandaj sistemi ynë politik ka nevojë për individ me “njolla”. Nëse në këtë sistem futen si padashur individë “të pastër”, siç ishte rasti i KOP-istave, ata shumë shpejt “njollosen”, ose nëpërmjet shkeljeve ligjore që kanë qenë të detyruar t’i bëjnë për arsye politike, ose duke mbajtur qëndrime politike që bien ndesh me normat minimale të moralit publik. Janë pikërisht “njollat” që garantojnë solidaritetin dhe luajalitetin politik. Pra, perversiteti i sistemit tonë politik është se ai ka njëkohësisht nevojë për një moral publik, por edhe për shkeljen e tij. Por që të shkelet morali publik duhet të ekzistojë. Prandaj në skenën publike vazhdojmë të flasim për luftën kundër korrupsionit, për drejtësinë, për demokracinë, për interesin publik, edhe pse e dimë shumë mirë që pakkush i merr këto parime seriozisht në realitet. Ato tashmë tingëllojnë më shumë si parullat komuniste dje, çka shpjegon formalitetin, boshllëkun dhe hipokrizinë e debatit tonë publik. Të gjithë, politikanë, analistë, gazetarë, flasin për parimet dhe moralin e demokracisë të ndërgjegjshëm se askush nuk i dëgjon. E megjithatë ata duhet të vazhdojnë të flasin, pasi në mënyrë formale morali publik duhet mbajtur gjallë, përndryshe sistemi i bashkëfajësisë dhe luajaliteti që ai prodhon shkërmoqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›