E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mban patericat e pushtetit të Berishës

Filloreta Kodra 

Propaganda shurdhuese dhe zbatimi i sloganit “shpif, shpif se diçka do të mbetet”, është mjeti kryesor i liderit të PS-së që pretendon ... se po zbaton një politikë të re në Shqipëri, por që harron se historia nuk fillon me të e shembuj të njëjtë njihen që nga prehistoria. Në mungesë të argumenteve të reja, kryetari i PS-së përmes megafonave të tij, u është kthyer akuzave të vjetra kundër LSI-së, akuza që ai vetë po i zbaton për të realizuar kontrollin mbi PS-në dhe krijimin e partisë ku ai të jetë lideri absolut e i pakontestueshëm. Nuk ia vlen të merremi me akuzën e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-ës, të cilën vetë ai e ka përgënjeshtruar duke bërë edhe autokritikë për sjelljen ndaj LSI-së në këto zgjedhje. Është e rëndësishme të analizojmë aktivitetin e liderit të PS-së pas zgjedhjeve të përgjithshme, sidomos pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku jo në një, por në disa raste, nëse ai do të kishte dashur, Berisha tashmë do të kishte dalë në pension. Veprimet e mosveprimet të kryetarit të së ashtuquajturës forca më e madhe opozitare në vend, siç i pëlqen atij të quhet, kanë zbuluar synimet politike reale, por edhe autoritarizmin dhe kultin e tij të individit. Sjellja e tij politike në këto vite është karakterizuar nga përpjekjet për t’u vënë në krye të partisë dhe dominuar atë përmes drejtimit me dorë të hekurt. Handikapin e mosqenies në Parlament e kompensoi me ndryshimin e vazhdueshëm të drejtuesve të grupit parlamentar të PS-së, derisa gjeti personin që i bindet më me lehtësi. Në korrik të vitit të kaluar, ndërsa ishin të gjitha mundësitë për zgjedhjen e një presidenti konsensual, ose kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, që do t’u kishin kursyer shqiptarëve përjetimin e tragjedisë së Gërdecit, PS-ja paraqiti 10 kandidatura për president, duke bërë të mundur zgjedhjen e një presidenti partiak. Në momentet kur qeveria Berisha ishte në ditën më të vështirë dhe po kërkonte mënyrën për të dalë nga gropa e Gërdecit, i erdhi ndihma pikërisht andej nga ku publiku shqiptar nuk e kishte parashikuar, nga “armiku” i tij. Për publikun e tronditur nga shpërthimi i Gërdecit ishte e pakuptueshme rrahja e shpatullave kryeministrit nga lideri i opozitës, po akoma më e pakuptueshme ishte kërkesa e tij për të protestuar heshtazi kundër një krimi shtetëror që mori jetë njerëzish, ndërsa LSI kërkonte me forcë dorëheqjen e kryeministrit. Reagimi i zbehtë kundër krimit të Gërdecit ishte një lëvizje e llogaritur me synim të caktuar, që ishte miratimi i Reformës Zgjedhore në Parlament, por sidomos ndryshimet thelbësore kushtetuese. Ndryshimi rrënjësor i frymës së Kushtetutës dhe shndërrimi i vendit në Republikë Kryeministrore, nuk mund të justifikohet me nevojën për stabilitet politik, por shpjegohet qartë me sjelljen autoritariste dhe etjen për pushtet të pakufizuar që manifestojnë si kryeministri i vendit në qeverisjen qendrore, ashtu edhe kryetari i bashkisë më të madhe të vendit, në qeverisjen vendore. Kjo sjellje është pjesë e një strategjie të hartuar kohë më parë; Kryebashkiaku i suksesshëm, që u ndodh në krye të një partie, që nuk e konsideron të denjë për ta drejtuar, kishte filluar të mendonte edhe mënyrën se si do të “krijonte partinë e tij”, nuk janë të rastësishme thëniet e tij se në politikë nuk ka mirënjohje si dhe mosrespektimi e veprimet në kundërshtim me marrëveshjet e bëra me partnerët e vet. Zbatimi i kësaj strategjie filloi me marrëveshjen për ndarjen e “pushtetit” me kryeministrin, njëri qendrorin, tjetri vendorin (Tirana përfshin pothuajse gjysmën e popullsisë shqiptare), në këmbim të “qetësisë apo opozitës konstruktiv”, që nënkupton marrëveshjen “sot ti, nesër unë”, pavarësisht se kur do të vijë kjo “nesër” për socialistët dhe të gjithë qytetarët e lodhur shqiptarë. Propagandimi e zbatimi i sloganeve demagogjike një lider, një ekip një program, në themel ka përzgjedhjen selektive të njerëzve rreth kryetarit, për të komanduar e drejtuar “me dorë të fortë” partinë, ndërsa parimi “një anëtar, një votë” është mbulesa demagogjike e largimit të socialistëve të padëshiruar nga “kryetari i madh”. Sot shqiptarët jetojnë në shtetin “fortesë” të kryeministrit, ku në qeverisje çdo gjë, edhe statistika më e parëndësishme kalon më parë nga zyra e kryeministrit dhe nën pushtetin e kryebashkiakut të Tiranës, që e ka kthyer Bashkinë në një bunker nga ku dalin vetëm ato vendime e veprime që dëshiron kryetari. Nuk është çudi që pas pak kohe, kryetari, pozitat e të cilit si duket tashmë janë forcuar mjaftueshëm, të kërkojë ndryshimin e statutit të partisë, për të hequr “pengesën” që kërkon dorëheqjen e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve, që ai po përgatit. Ndryshimi i statutit të Partisë Socialiste për kryetarin është një ndërmarrje shumë më e vogël nga ndryshimi i Kushtetutës, për t’i hapur rrugën qeverisjes autoritare të partisë e më pas siç shpreson ai, të të gjithë vendit.
Nën pushtetin e Berishës dhe me ndihmën e kryetarit aktual të PS-së, integrimi euroatlantik i Shqipërisë është shndërruar në një mirazh, që sa më tepër na duket se i afrohemi aq më tepër largohet. Ky realitet i vjen për shtat kryeministrit, por edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse sa më larg standardeve evropiane të jemi, aq më të lira i kanë ata duart për të rritur e forcuar pushtetin e tyre politik dhe ekonomik dhe për të shtuar pasuritë korruptive, të cilat do t’i përdorin për të forcuar akoma më tepër pushtetin e tyre politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›