E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga ushtarit, shpërndante kokainë në repartin nr.4401

Arrestohet në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë, ushtari i dyshuar si shpërndarës i kokainës. 

Dashamir Biçaku

Durim Zaimi, 19 vjeç, ushtar i repartit 4401, është prangosur në Qytetin Studenti nga agjentët e policisë, të cilët i kanë bllokuar atij 1.2 gramë kokainë si dhe një fletë hyrje të repartit 4401. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se ushtari furnizonte përdorues të kokainës në këtë repart ushtarak si dhe në Qytetin Studenti. Durim Zaimi, 19 vjeç, banues në kryeqytet, është ndaluar nga antidroga e Tiranës me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të kryer pranë godinës nr.21 në Qytetin Studenti, policia i ka kapur atij një sasi prej 1.2 gramë kokainë e paketuar në tri doza të ndara në pako prej letre alumini. Bashkë me kokainën, sipas policisë, ushtarit Zaimi i është gjetur e bllokuar edhe një fletë-hyrje e repartit ushtarak me numër 4401 në Tiranë. Burimet e policisë, të cilët e ndiqnin prej kohësh të dyshuarin, konfirmuan dje dyshimet e tyre se i arrestuari shpërndante kokainë në zona të ndryshme të Tiranës në Qytetin Studenti, por edhe në repartin 4401, fletëhyrjen e të cilit e mbante me vete. I riu është pyetur nga hetuesit, por nuk ka pranuar të flasë mbi origjinën e kokainës që mbante me vete. Pas procedurave hetimore, ai është ndaluar nga policia në flagrancë me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së kokainës.
“Laknasi”
kap kokainë
Vetëm disa orë pas arrestimit të tij, oficerët e antidrogës gjatë aksionit të koduar me emrin “Laknasi” zhvilluar në rrugën “Don Bosko”, kanë ndaluar një tjetër trafikant kokaine. Në një lavazh në këtë rrugë, agjentët e policisë kanë kapur 313 gramë kokainë, ndërsa kanë arrestuar K C, 26 vjeç. Mësohet se ai po mundohej ta fshihte kokainën në kohën që ka kuptuar se policia kishte mbërritur në vendin e ngjarjes. Policia ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor të 26-vjeçarit, të arrestuar në rrugën “Don Bosko”. Operacioni është kryer nga agjentët e antidrogës rreth orës 12:00. Hetuesit kishin mësuar se K C kryente rolin e korrierit për një sasi droge prej 330 gramë kokainë, me vlerë rreth 50 mijë euro. Sapo i dyshuari ka mbërritur në zonën ku do të dorëzonte drogën, agjentët kanë parë mjetin e tij “Mercedez-Benz” 190, me targa TR 1228 M. Sipas burimeve të policisë, korrieri i kokainës kishte mbërritur te lavazhi për të takuar disa miq të njohur të tij. Agjentët janë afruar për te makina, ndërsa i arrestuari ka marrë qesen në të cilën kishte drogën dhe ka tentuar ta fshehë atë. Policia ka ndaluar të riun menjëherë, duke e izoluar përkohësisht në një automjet të forcave të rendit, ndërsa ekspertët kanë mbërritur për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Bashkë me të arrestuarin, policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë vendit ku u ndalua 26-vjeçari nga Laknasi. Pas marrjes së deklarimeve, këta persona janë lënë të lirë, ndërsa K C është arrestuar me akuzën e mbajtjes dhe shitjes së kokainës. Sipas burimeve policore, ai dyshohet se po e transportonte kokainën në një destinacion tjetër, ndërsa policia ka identifikuar si bashkëpunëtor të tij edhe një person tjetër, tashmë në kërkim. Një ditë më parë policia kishte arrestuar edhe një shpërndarës tjetër droge në Tiranë. Erlind Simo, 25 vjeç, është arrestuar me 2 gramë heroinë, ndërsa priste takimin me klientët, të cilëve do t’u shiste drogën.

Policia, “sulm” shpërndarësve të drogave të forta në Tiranë

TIRANE – Policia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë aksionesh për kapjen e personave që kryejnë trafik dhe shpërndarje të lëndëve si heroina dhe kokaina. Me dhjetëra persona janë arrestuar ditët e fundit pas aksioneve të përsëritura të agjentëve të policisë. Ajo që bie në sy në të gjitha këto aksione është sasia e vogël e drogës së bllokuar. Rreth 330 gramë kokainë, të cilat u bllokuan dje në rrugën “Don Bosko” gjatë një aksioni të agjentëve të antidrogës, është më e madhja e bllokuar muajt e fundit nga policia, me përjashtim të rastit të Golemit, kur policia bllokoi një biznesmen me 15 kilogramë kokainë. Sipas të dhënave hetimore, sasia e heroinës dhe kokainës në qarkullim ka ardhur gjithnjë e në rënie për shkak të aksioneve të vazhdueshme të policisë dhe vështirësive financiare që ndikojnë në rënien e kërkesës për lëndë të tilla narkotike. Nga ekspertët e policisë mësohet se ulja e sasisë së heroinës dhe kokainës në qarkullim, e ka bërë më të vështirë sigurimin e saj nga përdoruesit, çka automatikisht ka shkaktuar edhe rritjen e çmimit me të cilin shiten dozat apo sasitë e lëndës narkotike në kryeqytet.      tr.so    

Të arrestuarit
Durim Zaimi
19 vjeç, ushtar
Me 1.2 gramë kokainë
Me fletëhyrje në repartin 4401

K C, 26 vjeç
Me 330 gramë kokainë

Erlind Simo, 25 vjeç
Me 2 gramë kokainë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›