E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bashkia Belsh, fitorja e ngushtë e kandidatit të PS, KAS shqyrton nesër ankimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë“

Fitorja me “foto-finish“ për Bashkinë Belsh e kandidatit të PS, Arif Tafani, që mori 50.23% të votave, përballë Bedri Qypit të koalicionit “Bashkë Fitojmë“, që mori 49.77% të votave në zgjedhjet vendore të 14 majit, ka bërë që koalicioni “BF“, ta ankimojë këtë rezultat në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Ankimimi i “BF“-së pritet të shqyrtohet të martën nga KAS, në një seancë publike. “BF”, për Bashkinë Belsh, kërkon “rinumërim dhe rivlerësim të votave, për të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore”.

Kërkesa ankimore, me ankues subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka si objekt kundërshtimin e vendimit “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve” për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Belsh, në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“BF“ kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Belsh, dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Belsh, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërmi dhe rivlerësimi i votave.

Koalicioni “BF“ kërkon edhe pavlefshmëri për zgjedhjet e zhvilluara në QV nr.  2565/01 IEVP, Burgu Kosovë, të zonës zgjedhore Bashkia Belsh, si dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkia Belsh, duke mos përfshirë rezultatin e QV me nr. 2565/01 IEVP Burgu Kosovë.

Mbështetur në këto pretendime, “BF“ kërkon shpalljen si kandidat fitues për zgjedhjet për kryetar Bashkia Belsh të kandidatit të saj, Bedri Qypi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›