E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Durrës mbyll procesin e legalizimit, rrezikojnë 1500 shtëpi

NDËRTIMET/ Drejtori i ALUIZNI-t bën të ditur se nga 15-20 korrik mbyllet tërësisht kalimi masiv në zona informale i dosjeve


DURRËS - Dita e enjte ka shënuar edhe përfundimin e kopsitjes së dosjeve të procesit të legalizimit për Bashkinë e Durrësit. Drejtoria e ALUIZNI-t është duke bërë tashmë rakordimet përfundimtare të dosjeve dhe dokumentacionit përmbyllës që përmbajnë ato, për t'i përcjellë drejt qendrës në Tiranë.


Sipas drejtorit Andi Lila, po respektohet plani i veprimit që rreth datave 15 dhe 20 korrik të gjitha zonat e Bashkisë së Durrësit të përfundojnë si kalim pronësie. Lila thekson se fillimisht ka pasur rreth 40 000 aplikime në të cilat kanë ndodhur edhe dublime të disa pronave, të cilat pas verifikimeve në terren, janë përmbledhur në 18 700 dosje gjithsej.


Sipas Lilës, në dokumentacionin përmbyllës janë 4 zona informale të Bashkisë së Durresit dhe se në përfundim është tashmë zona e Kodër Vilës, pasi të tjerat janë mbyllur.


Lila thotë se objektet që ndodhen në zonat e përcaktuara me ligj si ato mbi hidrovore, në gjurmë rrugësh dhe afër traseve hekurudhore, si dhe nën linjat e tensionit të lartë, si dhe zona të rrezikuara nga rrëshqitjet, përfshirë edhe ndërtimet në zonat arkeologjike do të skualifikohen.


Sipas tij, shumë banesa që ndodhen në zonat e ndaluara me ligj për t'u ndërtuar do të skualifikohen nga procesi i legalizimit. Kjo shifër për zonën e Durrësit ka mundësi që pasi të kalojë në Komisionin Qendror të Legalizimeve mund të mbetet tek shifra e 1500 banesave.


Shumë shpejt, sipas tij, në faqen e internetit të ALUIZNI-t Durrës do të ketë informacion për numrin e objekteve të kualifikuara, të skualifikuara me ligj dhe numrin e objekteve të ndodhura në zona me problem ndotje, rrëshqitje, arkeologjike etj.


Gjatë kësaj periudhe u tha për "Shekullin" se "është bërë evidentimi një për një i të gjitha dosjeve për të shmangur dublimet, gabimet në emër, mbiemër, adresë.


Kjo pasi ka pasur dy kategori aplikimesh, njëra i përket vitit 2005, tjetra vitit 2006 dhe ka qindra qytetarë që kanë dy dosje duke shkaktuar dublime të panevojshme".


Një praktikë e tillë është tejkaluar tashmë, thonë në këtë institucion. Kështu që pas ditës së enjte fillon puna që deri me datë 20 korrik të mbyllet tërësisht kalimi masiv në zona informale i dosjeve.


Sipas ligjit, sqarojnë në zyrat e ALUIZNI-t, skualifikimet klasifikohen për objekte nën tensionin e lartë, objekte në zonën studimore, objekte në fasha rrugore e hekurudhore. Në 4 zonat informale që i përkasin Bashkisë së Durrësit, ka të regjistruar rreth 40 mijë objekte, kryesisht shtëpi banimi, por edhe lokale shërbimi dhe aktivitete private, ndërsa Bashkia numëron 18 700 vetëdeklarime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›