Babai, jam unë!

Gjykata u gjen prindërit 10 fëmijëve, të cilët i kishin mohuar apo humbur
Pak më vonesë, por edhe ata mësuan se e kanë një baba... edhe ligjërisht. Gjykata u gjen prindërit 10 fëmijëve, të cilët i kishin mohuar apo humbur. Analiza e ADN-së u ka dhënë zgjidhje problemeve të këtyre personave, të cilët, duke mos pasur zgjidhje tjetër, u janë drejtuar togave të zeza me anë të kërkesëpadive.
Në certifikatat e tyre personale, në kolonën e atësisë ose ishte shënuar një emër që nuk ishte prind real ose nuk ishte shënuar asgjë. Kjo për shkak të rrethanave, në të cilat kanë qenë bashkëshortët biologjikë në momentin e lindjes së fëmijës. Por, me kalimin viteve, situatat qartësohen dhe e vërteta del në sipërfaqe.
Në gjykatën e kryeqytetit, vetëm për këtë vit, janë regjistruar në regjistrat e saj 10 çështje me objekt "njohje atësie". Më në fund, kjo gjykatë i ka regjistruar këta fëmijë me baballarët e tyre të vërtetë.
Ngjarjet, që i kanë çuar këta persona në mosregjistrimin në kohë të fëmijëve të tyre janë nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga një lidhje jo e qëndrueshme. Ardhja e një fëmije i ka vështirësuar edhe më tej marrëdhëniet e tyre dhe gjithçka ka marrë fund.
Në pjesën më të madhe të rasteve, babai është ai që i ka braktisur, si ish të dashurën ashtu edhe fëmijën e vet. Por, nuk mungojnë edhe nga ato histori kur gruaja ka qenë e martuar, por fëmija ka atësi tjetër.
Pasi bashkëshorti e ka kuptuar, ka kërkuar "ç'njohje atësie". Pastaj, ka edhe raste kur femra të mbetura shtatzënë me të dashurin martohem me një tjetër person, të cilit i mbetet atësia e fëmijës.
Në shtatëmujorin e parë të këtij viti, në gjykatën e kryeqytetit janë regjistruar 10 dosje me objekt "njohje atësie". Pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar dhe një pjesë e vogël janë ende në gjykim. Një nga provat bazë që gjykata merr përsipër për të njohur atësinë është analiza e ADN-së.
Pas analizës që bën eksperti i caktuar nga gjykata, dorëzon te togat e zeza konkluzionin, mbi të cilin gjykata bazon vendimin për njohjen apo jo të atësisë së pretenduar ose të mohuar.
Burime nga organi i drejtësisë pohojnë se në të gjithë rastet, ata që kanë kërkuar të njohin atësinë e fëmijëve të tyre, kanë dalë në të gjitha rastet prindër real. Vç kësaj procedure regjistrimi, prindi kur merr atësinë ka edhe disa përgjegjësi të tjera për fëmijën e vet.
Sidomos kur ai jeton me të ëmën, atëherë i ati është i detyruar t'i paguajë një pension ushqimor mujor. Kjo varet edhe nga të ardhurat mujore që ai person arrin të sigurojë në mënyrë të ligjshme.
Rasti 1
Megjithëse ka qenë e martuar, ka pasur një lidhje jashtëmartesore. Si pasojë është lindur një fëmijë më datën 03.02.1988. Gruaja ishte e martuar dhe asgjë nuk e linte të dyshonte bashkëshortin e saj se ai fëmijë nuk ishte i tij.
Por, me kalimin e viteve, ky çift ndahet. Pas kësaj, babai real i fëmijës i kërkon Gjykatës së Tiranës që ta njohë si prind të vërtetë të djalit, i cili tashmë është ... 22 vjç!
Rasti 2
Nga një lidhje e pakurorëzuar në martesë ka ardhur në jetë një fëmijë, i cili ka lindur në datën 25.02.2007. Asnjeri prej të dy prindërve të fëmijës nuk vendosi që të krijonin familje së bashku dhe fëmija të rritej me prindërit. Ishte babai ai që i kishte braktisur të gjitha.
Por, e ëma e djalit tashmë 3 vjç, e ka paditur, duke e detyruar që nëpërmjet gjykatës të njohë atësinë e fëmijës dhe t'i paguajë atij një pension ushqimor prej 10 mijë lekësh në muaj.
Rasti 3
Paditësi dhe e paditura janë bashkëshortë ligjorë. Ata janë lidhur në "martesë fakti" në vitin 1999. Nga martesa pretendojnë se kanë dy fëmijë, M., të datëlindjes 16.01.2001 dhe E., të datëlindjes 10.01.2005, të lindur të dy në Iraklio të Greqisë.
Për arsye ekonomike palët kanë emigruar në shtetin grek përpara lidhjes së "martesës ligjore". Për një ndryshim emrash për shkak të përshtatjes në emigrim, tani kërkojnë regjistrimin e fëmijëve me emra real të tyre. Por për këtë arsye kërkohet edhe njohja e atësisë.
Rasti 4
Këtë herë nuk ka qenë as lidhjet jashtëmartesore dhe as emigrimi i prindit. Por një neglizhencë e familjes për të regjistruar në regjistrat e gjendjes civile në kryeqytet njeriun më të ri të familjes së tyre.
Pas problemeve që kanë hasur në dokumentacion i kanë kërkuar gjykatës nëpërmjet një padie, vërtetimin e atësisë së djalit dhe detyrimin e Zyrës së Gjendjes Civile nr. 7 Tiranë të bëjë regjistrimin e atësisë së fëmijës.
Atësia Neni: 181
Përmbajtja: At i fëmijës së lindur jashtë martese është personi madhor që e njeh fëmijën si të tij. Njohja e atësisë është e vlefshme kur për këtë jep pëlqimin nëna e fëmijës, të cilën e lajmëron nëpunësi i gjendjes civile.
Kur nëna e kundërshton këtë njohje ose nuk përgjigjet brenda 1 muaji nga marrja e lajmërimit, burri që ka njohur fëmijën si të tij mund të ngrejë padi para gjykatës kompetente për të vërtetuar se ai është i ati i fëmijës, E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 1 viti nga data e marrjes së lajmërimit nga nëpunësi i gjendjes civile, për mospranimin nga ana e nënës.