Bashkia Maliq rikonstrukton rrjetin e ujësjellësit në Kreshpan

I gjithë rrjeti i brendshëm i ujësjellësit të fshatit Kreshpan do të pësojë një rikonstruksion të plotë. Investimi me vlerë 2,2 milionë lekë synon zëvendësimin e tubacionit aktual i cili është me material eterniti, mjaft i dëmshëm për banorët. Administratori i njësisë Pojan Kreshnik Azo tregon se ndërhyrja do të përballohet financiarisht nga fondet e bashkisë dhe mendohet të përfundojë brenda një muaji.
Fshati Kreshpan nuk ka pasur probleme sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm, por tubacionet e vjetra të eternitit kanë qenë një kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e banorëve. Me investimin e bashkisë së Maliqit e gjithë kjo situatë merr fund dhe banorët nuk do të kenë më frikën e elementeve kancerogjenë të cilat shpërndahen nga tubot e eternitit.