Bashkia Rrogozhinë, KAS rrëzon koalicionin “Bashkë Fitojmë”, për rinumërim të votave në të gjitha qendrat e votimit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës së koalcionit “Bashkë Fitojmë”, për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në të gjitha qendrat e votimit për Bashkinë Rrogozhinë.
“Bashkë Fitojmë” kundërshtonte vendimin e KZAZ-së në Rrogozhinë, që nxirrte fitues kandidatin e PS-së Edison Memolla, me një diferencë prej 30 votash, ndaj kandidatit të “BF”-së, Shkëlqim Hoxha.
“BF”, në kërkesën e saj ankimore, kundërshtonte miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit, si dhe rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjitha qendrat e votimit të zonës zgjedhore Bashkia Rrogozhinë. Por KAS rrëzoi kërkesën për rinumërimin e votave në të gjitha qendrat e votimit.
Por në zbatim të Kodit Zgjedhor për nevojat e shqyrtimit administrativ të kërkesës ankimore, anëtarët e KAS, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, i kërkuan KQZ-së paraqitjen në cilësinë e provës të të gjitha kutive të qendrave të votimit për zgjedhjet për kryetar bashkie për KZAZ nr. 43, Bashkia Rrogozhinë, si dhe vlerësimin e të gjithë fletëve të votimit. Për këtë arsye seanca për shqyrtimin e kërkesës ankimore u pezullua deri ditën e hënë.
/rtsh.al/