E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia dhurata per femijet e kopshteve dhe cerdheve

Bashkia e Tiranës është kujdesur që edhe në këtë fund viti, fëmijët e çerdheve dhe kopshteve të marrin një dhuratë simbolike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte sot në çerdhen nr. 23 dhe ne kopshtin nr. 8, ku u janë shpërndarë dhurata fëmijëve. Pakot për fëmijët janë organizuar në bashkëpunim me sektorin privat. 3000 pakot për fëmijët e çerdheve janë mundësuar, në bashkëpunim me bankën “Credins”. Kreu i Bashkisë ka falënderuar biznesin e Tiranës, për mbështetjen që i ka dhënë iniciativës së Bashkisë së Tiranës, që fëmijët të marrin një dhuratë simbolike, sikundër dhe familjet më në nevojë, një pako ushqimore.

“Përkushtimi ynë ndaj çerdheve të kryeqytetit, ndaj fëmijëve të kryeqytetit në kopshte, në shkolla është përkushtimi ndaj të ardhmes, ndaj jo vetëm investimet, jo vetëm dhuratat në ditë festash por edhe programe të fuqishme për kualifikimin dhe rikualifikimin e stafit në këto çerdhe dhe për përqasjen sa më shumë të standardit të shërbimit të tyre, me standardin evropian janë dhe mbeten prioritet i Bashkisë së Tiranës”- u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku ka shprehur dhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për te përmirësuar rrënjësisht kushtet, në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit.

“Përkushtimi ynë, natyrisht nuk kufizohet vetëm në ditë festash. Ju e dini që në qytetin tonë, aktualisht kemi në rikonstruksion 7 çerdhe, ndërkohë që me buxhetin e vitit të ardhshëm edhe 10 çerdhe të tjera do i nënshtrohen rikonstruksionit apo do të ndërtohen rishtazi, ndërkohë që të gjithë çerdhet do të kenë sistem ngrohjeje funksional, në mënyrë që dimrin tjetër, çdo centimetër katror i çerdheve të kryeqytetit, të sigurojë kushte optimale për vogëlushët tanë” – theksoi z. Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›