Promovohet gazeta e pare e Qeverise se Vlores

Periodiku zyrtar i qeverisë së parë shqiptare asaj të Vlorës, në titullin "Përlindja e Shqipënies", vjen i plotë në këtë 100-vjetor në një riprodhim fotostatik, por edhe online në portalin e albanologjisë së dy bibliotekave kombëtare, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në faqet e kësaj gazete shihet Shqipëria si ishte. Gazeta kishte për synim kryesor paraqitjen e shkurtër të ngjarjeve kryesore të cilat ndërlidheshin me krijimin e statutit për Shqipërinë, pastaj rolin dhe kompetencat që do të kishte Ministria e Arsimit në edukimin e brezave, paraqitja e vendimeve të ndryshme që organizoheshin në konferencat e mbajtura në qytetet e Shqipërisë: Gjirokastër, Shkodër, Berat, Korçë .
Drejtorët e dy bibliotekave që bënë të mundur këtë projekt, e kanë vlerësuar gazetën e qeverisë së Vlorës si një dokument të rëndësishëm historik.
Gazeta "Përlindja e Shqipënies", ashtu si vetë qeveria e Ismail Qemalit, pati një jetë të shkurtër. Ajo u botua dy herë në javë nga gushti 1913 deri në mars të 1914-ës. Në të janë botuar vendime të rëndësishme të Qeverisë së Pavarësisë, por edhe gjithçka që lidhej me problemet kombëtare.