E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia do te vazhdoje te kryeje detyrat vendimet politike u takojne partive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punën për mbjelljen e 600 fidanëve, pemë të llojit bli, në njësinë bashkiake nr. 4. Deri në fund të kësaj jave, në Bashkinë e Tiranës do të përfundojë mbjellja e 4 mijë pemëve të parashikuara vetëm për këtë sezon. Kryebashkiaku Basha e ka cilësuar mbjelljen e pemëve, si pjesë të përpjekjes së Bashkisë për të sjellë sa më shumë gjelbërim në kryeqytet.  

“Ndodhem këtu, për të inspektuar personalisht mbjelljen e mbi 600 pemëve të llojit bli në këtë bllok, i cili është pjesë e Njësisë Bashkiake nr.4. Sot, po e pajisim këtë bllok me gjelbërim të dendur të një tipi shumë të dashur për qytetarët, që është pema bli. Kjo është pjesë e përpjekjes sonë, për të shtuar në këtë sezon mbjelljesh 4000 fidanë pemë të reja anembanë qytetit, duke arritur kështu në 12 500 numri total i pemëve të mbjella që nga sezoni i mbjelljeve të vjeshtës së vitit 2011” – u shpreh Basha.

Mbjellja e pemëve të reja është shtrirë në të gjithë Tiranën, nga sheshi ”Shqiponja”,  restorant “Durrësi”, rruga “Qemal Stafa”, në Kinostudio, zona e “Xhamllëkut”, Ministrisë së Shëndetësisë, në qytetin “Studenti”, etj. Rreth 3 mijë pemë të llojit bli po mbillen në Tiranë. Me prioritet është parë zona e Liqenit Artificial të Tiranës, ku vetëm gjatë kësaj jave janë mbjellë 600 fidanë pemë të reja.    

“Janë mbjellë 600 fidanë pemë të reja në parkun e Liqenit, do të mbillen në disa blloqe të tjera urbane, në disa rrugë të tjera të reja të ndërtuara nga Bashkia apo rrugë të ndërtuara më parë por ku kanë munguar pemët. Kjo është pjesë e përpjekjes sonë, për t’i sjellë më shumë gjelbërim qytetit. Qyteti ka shumë nevojë për gjelbërim, ka humbur gjelbërim me shpejtësi të madhe në 20 vitet e tranzicionit, ndaj këto 4000 pemë që mbillen në këtë sezon përmbushin dhe tejkalojnë madje premtimin tim, për sasinë e pemëve për këtë sezon mbjelljesh. Ne nuk do të ndalemi këtu por po bëjmë gati planet, që në vjeshtën e ardhshme t’i shtojmë edhe 5000 pemë të tjera kryeqytetit, në mënyrë që në periudhën 2011-fundi i 2013, qyteti të ketë mesatarisht 18 000 pemë të reja anembanë qytetit” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Kryebashkiaku Basha i është përgjigjur interesit të medias, sa i përket ndikimit që do të ketë në administratën e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak, largimi i LSI nga koalicioni qeveritar. 

“Bashkia do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta, në raport me nevojat, projektet, aspiratat e qytetarëve të Tiranës.  E ka bërë këtë pa dallim bindjesh politike, as nga ana e administratës, as nga ana e qytetarëve. Do të vazhdojë ta bëjë këtë. Vendimet politike u takojnë forumeve politike të partive politike” – deklaroi Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›