E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës: Keqardhje për frymën antipatriotike të Edi Ramës

01-11-2012 / Gazeta 55

“Në 11 vjet kryetar bashkie, festoi Natën e Bardhë, por jo 28 Nëntorin”


Bashkia e Tiranës reagoi dje ndaj frymës aspak patriotike që përcjellin deklaratat e fundit të kryetarit të PS, Edi Rama, njëkohësisht ish-kryetar i bashkisë së Tiranës, në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës i kujton Edi Ramës se festa e 100 vjetorit të Pavarësisë, është festë e bashkimit dhe jo e përçarjes. “Vlora është qyteti i Pavarësisë dhe Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Prandaj të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptarë do ta festojnë këtë 100 vjetor së bashku pavarësisht nëse jetojnë në Tiranë a Vlorë, Prishtinë a Shkup, Podgorice, Athinë apo kudo tjetër. Për fat të keq, vijon më tej reagimi i Bashkisë së Tiranës, për 11 vjet në Bashkinë e Tiranës u festua shpesh Nata e Bardhë, por nuk u var asnjëherë asnjë flamur i vetëm me 28 nëntor”. “Sot është koha e bashkimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit pa dallim, Vlorë apo Tiranë, Tropojë apo Sarandë. Të gjithë do të kremtojmë me krenari kombëtare këtë festë madhështore. Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që këtë vit ta festojë 28 Nëntorin me gjithë madhështinë që mbart kjo datë në historinë tonë. Me këtë rast ftojmë edhe z. Rama të bëhet pjesë e këtyre përpjekjeve pozitive larg gjuhës së konfliktit dhe përçarjes”, thuhet më tej në deklaratën për shtyp të Bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›