E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërfillësit e 28 nëntorëve kërkojnë revansh

01-11-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Në vitet 1950-1952 isha ushtar në Gërhot të Gjirokastrës, në rrethana jo të zakonshme për një nxënës të gjimnazit të Tiranës, që do të duhej të ndërpriste studimet, me vendim të  Komitetit të Partisë së Tiranës. Për te mos dalë nga tema, por édhe për të mos lejuar ndonjë keqkuptim, ishim nëntë nxënës të përjashtuar, politikisht. Me “demaskime” edhe në dy gazeta të asaj kohe: Në ZP  dhe në gazetën Rinia. Mund të shtoj vetëm një detaj: që koordinatori i Komitetit të Partisë së Tiranës me shkollën, ishte një person, me funksione të larta, pas ndërrimit të sistemeve, në Komisionin e Helsinkit, në Tiranë! Festa e 29 nëntorit të vitit 1951 u festua, pra, në Gjirokastër  në mënyrë madhështore. U mbush qyteti përplot me flamuj të panumërt, me yllin e kuq përmbi shkabën dykrenore, kuptohet. I deleguar nga Komiteti Qendror ishte Bedri Spahiu. Por duket se ky kishte ardhur një ditë më parë, më datën 28. Kjo datë mbeti thuajse në harresë të plotë. Ushtarët e kazermave të Gërhotit patën liridalje, në një listë që parashikonte ata që nuk kishin dalë për dy të diela rresht. Kështu më qëlloi edhe mua të isha i pranishëm në sheshin e Çerçizit, ku do të zhvillohej ceremonia. Ushtarët korrierë që shkonin e vinin në qytet, nuk e kishin mbajtur sekret të ushtarëve e kazermës, që 28 nëntori ishte një shkretëtirë flamujsh, së paku.
Në tribunën e sheshit, doemos që fjalën ceremoniale e mbajti Bedriu. Për ta thënë të gjithë të vërtetën, i deleguari bëri edhe një vërejtje të guximshme. Kritikoi organet partiake vendore që një ditë më parë, më 28 nëntor, nuk kishin marrë mundimin as të vinin një pjesë të flamujve që kishin mbushur sheshin më 29 nëntor. Për këtë shpërfillje kuptohet se radioja dhe organet e shtypit nuk kishin thënë asnjë fjalë. Por shumë gjëra merreshin vesh në atë kohë edhe jashtë shprehjeve të komunikimeve të shtypit dhe të radios. Edhe né, ushtarët, ishim në dijeni se kjo errësirë festive për 28-n ishte në të gjitha qytetet e Republikës Popullore. Pëshpëritje pakënaqësish dëgjoheshin kudo. Doemos, në mënyrë konfidenciale. Pa dyshim që kjo valë pëshpërimash depërtonte edhe atje lart... Nuk kishte përse të merreshin masa ndaj shprehjeve në shërbim të armikut, në rrethana të tilla. Mbase edhe Bedriu donte të zbuste atmosferën dhe të quhej si një veprim i organeve partiake vendore ky nënvleftësim i 28 nëntorit , jo me “udhëzime nga lart”.
Por ky 28 nëntor i shpërfillur ishte jetësuar  edhe në vitet paraardhëse. Edhe në ato pasardhëse, natyrisht. Kështu që ato “vendoret” e paskëshin matur mirë pulsin atje lart. Ato ishin mbrujtur me psikologjinë e internacionalizmit proletar! Nuk duhej harruar se 29 nëntori ishte përzgjedhur si festë e përbashkët jugosllave-shqiptare: “Dhe  paskëtaj festat kryesore i kemi të përbashkëta” - thuhej në telegramin e drejtuar Titos, nga lakenjtë e tij shqiptarë - me në krye Enverin - në kohën e vasalitetit, me ndihmën e emisarëve të kreut jugosllav. Por edhe në fillim të ndryshimit të sistemeve, kur ishin deputetë në parlamentin pluralist Tao-Tao me të ndërkallurit e Ramiz Alisë, komunistët bënë namin kur u kërkua t’i hiqej ylli i kuq flamurit tonë. Një sakrilegj i tillë nuk u arrit dot as  në qeverisjet e pushtuesve, kur flamurit iu hoqën shpatat e liktorit, me mëtimin se vendimi për vendosjen e tyre nuk ishte botuar në Gazetën Zyrtare. Flamuri kombëtar, pa shenja shtesë, nuk ishte respektuar kurrë nga regjimi komunist i E. Hoxhës. Dhe fryma enveriste, në mjaft qarqe të majtizmit ekstrem, është e pranishme edhe tani, në ditët e vigjiljes për t’u anëtarësuar në komunitetin europian. Akolitët e Ramës, me atë në krye, i kishin mbushur “festat e Pezës”  (16 shtatorët) me një mizërí fotosh të qoftëlargut, ku nuk mungonte nga ndonjë nostalgjik i tërbuar edhe drapri e çekani, madjé edhe ndonjë flamur i ruajtur me fanatizëm, me yllin e kuq mbi krerët e shqiponjës!
Jo shumë vite më parë, i pamë në ekranet televizive qytetet e bashkive nën thundrën e Edvinit, me atmosferën aspak festive, për të nderuar flamurin kombëtar që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në shtëpitë private ishte ngritur ky flamur, por me festë të munguar. I gjithë Bulevardi Dëshmorët e Kombit, si edhe vazhdimi i tij në Bulevardin Zog I, kishin gjithsej dy-tre flamuj, sa për të thënë. Asnjë aktivitet përkujtimor. Kësaj gjendjeje si në zi, mund t’i jepte fund qeverisja demokrato-integruese, por do të hapej debati i zakonshëm se ndërhyej në pavarësinë e pushtetit vendor! (Përse në Shkodër e, veçanërisht në Prishtinë, 28 Nëntori u festua në mënyrë dinjitoze?) Nuk do të ishte e vështirë për Qeverisjen qendrore, që t’i mbushte me flamuj kombëtarë dhe të organizonte festa me aktivitete artistike në të gjitha ato vende ku mbretëroi shkretëtirëzimi i konkretizuar në atë se edhe njerëzit duhet të festojnë me urdhër nga lart! Ky turp u përçua, po ashtu, në vazhdën e festimit të ditës së liberalizimit të vizave, një festim i madhërishëm, ashtu siç e meritonte, nga mbarë populli ynë, kur ky tregoi entuziazmin e vet të përligjur, paçka se  Preçët, në vigjilje të kësaj feste, ishin “të merakosur” që të festohej “me masë”! Fjalët e këtij zëdhënësi nën rrogoz të mendimeve të E. Ramës, që të mos binim në triumfalizëm(!), - domethënë që të mos gëzoheshim si të na donte qejfi por vetëm “me urdhër nga lart”, - u deshifruan menjëherë, në të gjithë përmbajtjen e tyre qëllimkeqe...
Sipas kësaj mendësie që duhet të zhbëhet, aq më tepër  propagandistët e nihilizmit janë të prirur që të bllokohet (të bojkotohet, më saktësisht) statusi për vendin kandidat në BE. Socialistët e E. Ramës, jo vetëm që nuk dhanë asnjë kontribut për jetësimin e reformës për ligjin administrativ, - me interes të përbashkët, - por e bllokuan, madje,  në parlament, pavarësisht se humbëm miliona nga ky bojkot i radhës. Ata i shihnin me lupë shifrat për një piramidë jofunksionale, që do të duhej për ndërtimin e shumanshëm të parlamentit, të gjykatës së lartë dhe të disa institucioneve të tjera qendrore në një ngrehinë të vetme, si në të gjitha vendet e përparuara demokratike. Në të vërtetë e kishin hallin te varri faraonik i E. Hoxhës, që u dashka kujtuar brez pas brezi! Dhe janë betuar para arkivolit të këtij antikombëtari, - që prishi vendimet e Konferencës së Mukjes, me urdhër të emisarëve të Titos, - që ta kenë si mendësi për veprim, në dëm të festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në përdhosje të flamurit kombëtar të saj.
***
Tani, që jemi në muajin e lavdishëm të 28 nëntorit të vitit 1912, injoruesit e 28-s, të njohur me gisht,  ata që e kishin  përdhosur  kurdoherë 28 nëntorin dhe e kishin vënë këtë datë në hijen frymëmarrëse të 29 nëntorit, kërkojnë të ushtrojnë protagonizmin e tyre. T’i diktojnë Tiranës ç’duhet të bëjë. Në Vlorë, kryetari i Bashkisë përdor shprehjen “Vlora ime”, si një mall tregu që e ka në pronësí vetjake! Mandej shtyhet edhe më tej: se po erdhën ata të Tiranës të festojnë në datën që nuk dëshiron ai, le të marrin trastën me bukë me vete...Paragjykimet e sapo të majmurit si parvëny, e përfytyrojnë mazhorancën si një lypsare, me torbën në trastë, nën mëshirën e kryetarit zengjin. Ç’i gënjen mendja! Na kujtohen socialistët e ardhur në fuqi përmes kryengritjes bolshevike të ’97-s, se opozitari i atëhershëm,  Dr. Berisha, nuk duhej të shkonte në Vlorë, për të përshëndetur popullin para sheshit të flamurit, me qenë se  qeverisja e ’97-s nuk garantonte dot paprekshmërinë e tij në Vlorë. Por Berisha nuk iu tremb këtyre kërcënimeve ndjellakeqe dhe vajti në Vlorë me demokratët përreth tij.  Në Sheshin e Flamurit nuk binte molla në tokë. Para atij kërcënimi të turpshëm, kërcënuesit mbetën me gishtin në gojë.
Edi Rama, personi i befasive në minutën e fundit, njeriu i spontaniteteve, i akuzuar nga të vetët se nuk konsultohet as me stafin e tij, tani po na ankohet se nuk ka një program nga ana e qeverisë për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Bash në kohën kur kreu i mazhorancës po jepte detajet e përurimit gjithëkombëtar, në Vlorë, në qarqet, në Tiranë, kritizeri kërkon sërish të trazojë ujërat dhe të japë opinione se Berisha nuk ka të drejtë të shprehet si historian, sepse këtë mund ta bëjnë më së miri pseudohistorianët e indoktrinuar të ish-kryetarit të bashkisë. Pikërisht ata që  kërkojnë edhe statujën e E. Hoxhës, për xhelozi të Ahmet Zogut I, që  konsolidoi Shtetin shqiptar në një kohë amullie e trazirash. E. Hoxha ishte zvarritur teposhtë  piedestalit të tij nga një popull i shumëvuajtur. Tani a mos duhet t’ia ngrenë sërish statujën, prej floriri, siç mëtonte bletërritësi Namik Hoti, i shndërruar në kryetar partie prej Ramiz Alisë, që donte ta linte Shqipërinë as në Lindje, as në Perëndim? I ka rënë pikës një publicist i njohur që ka thënë se Edi Rama është jo vetëm kundër mazhorancës, por edhe kundër Shtetit tonë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›