Bashkia e Tiranës: “Ndërtimet pa leje në kryeqytet janë në pronësi të eksponentëve të PS”
Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, në një apel publik për qytetarët e kryeqytetit, ka ftuar tiranasit, të mos u besojnë premtimeve politike të Edi Ramës, për një fushatë ndërtimesh pa leje, pasi s’do të ndodhë kurrfarë ligjërimi i këtyre godinave
Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen e saj për instrumentalizimin politik që prej ditësh po u bëhet ndërtimeve pa leje në Tiranë. Përdorimi politik i kësaj çështje natyrisht bëhet për të fshehur ndërtimet pa leje që po kryejnë eksponentë politik dhe madje vetë PS. Bashkia e Tiranës i bën thirrje PS, që në vend që të harxhojë energji duke e përdorur politikisht ketë çështje, t’u bëjë thirrje eksponentëve të saj t’i binden ligjit dhe të mos ndërtojnë pa leje. Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS të mos i mashtrojnë qytetarët me legalizim të ndërtimeve pa leje, pasi asnjë ndërtim pa leje nuk do të legalizohet.
Bashkia e Tiranës shpreh dhe njëherë vendosmërinë saj për të prishur çdo ndërtim pa leje, proces i cili vijon çdo ditë pa ndalur. Ndërkaq, në një reagim për mediat, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha iu përgjigj akuzave të Artan Lames nga selia e PS, duke deklaruar se, sot Tirana nuk udhëhiqet nga interesat e Ramës, por nga interesi i qytetarëve të saj. Ajo tha se Lame është bashkëprojektues i betonizimit dhe shkatërrimit të hapësira të gjelbra në kryeqytet. “Bashkë projektuesi i betonizimit dhe i shkatërrimit të mijëra metrave katrorë hapësira të gjelbra të zhdukura për 11 vite nëpërmjet aferave korruptive akuzoi sot Bashkinë e Tiranës. Siç i hëngrën këto mijëra metra katrorë hapësira të gjelbra dhe i kthyen në përfitime të majme sot po hanë turpin me bukë duke hedhur akuza të pabaza ndaj Bashkisë. Ata që për 11 vjet për interesa personale lanë Tiranën pa një plan urbanistik duke lejuar zhvillim klientelist kanë kurajon të flasin dhe akuzojnë sot Bashkinë e Tiranës”- u shpreh zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Gjithashtu, ajo solli në vëmendje se, “Tirana ka sot planin e saj urbanistik mbi të cilin do të zhvillohet qyteti, të hartuar me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj dhe miratuar me konsensusin më të gjerë të mundshëm”. “Sepse sot Tirana nuk udhëhiqet nga interesat e Ramës, por nga interesi i qytetarëve të saj”- deklaroi më tej ajo.
Inspektorati Ndërtimor prish shtesën pa leje në rrugën “Mihal Grameno”/Inspektoriati Ndërtimor vijoi dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Ky aksion ka vijuar gjatë paradites me prishjen e një shtesë pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Mihal Grameno”, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit Florenc Hoxha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Tiranës të mos ndërtojnë pa leje dhe të mos bien pre e mashtrimeve të eksponentëve të lartë socialist për legalizimin e tyre, se të gjitha ndërtimet pa leje do të prishen.
“Inspektorati Ndërtimor Urbanistikë i Bashkisë Tiranës sot po vijon punën e tij në lidhje me ndërtimet pa leje. Pra për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Këtu pas meje shikohet që në mënyrë abuzive ka lulëzuar një ndërtim pa leje, shtesë kati, të cilën ne do ta vendosim përpara kushteve të ligjshmërisë duke e kthyer në gjendjen e mëparshme” - u shpreh Hoxha. Zoti Hoxha tha se ka një kontakt të vazhdueshëm me ALUIZNI-n për të vendosur në kushtet e ligjshmërisë çdo objekt të ndërtuar pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZNI-t. Asnjë prej këtyre objekteve nuk mund dhe nuk do të përfitojë nga legalizimi. “Po verifikojmë dhe po konstatojmë çdo ndërtim pa leje që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit. Kemi pasur një korrespondencë me zyrat e ALUIZN-it për të përcaktuar kushtet e ligjshmërisë dhe për të përcaktuar çdo objekt pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZN-it pikësëpari duke e përjashtuar atë nga legalizimi dhe më pas për të vepruar me forcën e ligjit. Garantojmë edhe njëherë qytetarët e Tiranës, që do të veprojmë ndaj çdo objekti të paligjshëm që është ndërtuar në mënyrë abuzive gjatë këtyre kohëve në qytetin e Tiranës. Kreu i Inspektoratit Ndërtimorë i ka bërë thirrje eksponentëve të PS-së të mos ndërtojnë pa leje dhe kërkoi nga PS të mos e politizojë çështjen e ndërtimeve pa leje për të mbrojtur eksponentët e saj.