Shkak mashtrimi i Edi Ramës për Ministrinë e Emigracionit dhe keqqeverisja e Niko Peleshit
Dega e PS në Selanik paralajmëron bojkotin e emigrantëve për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Korçës
Dega e Partisë Socialiste në Selanik ngre alarmin se emigrantët shqiptarë do bojkotojnë zgjedhjet e pjesshme vendore, për Bashkinë e Korçës, pas emërimit të Niko Peleshit në postin e Zv/Kryeministrit. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetin social Facebook, dega e PS në Selanik iu drejton një thirrje miqësore emigrantëve anëtarë të PS, që të udhëtojnë drejt Korçës, për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje. Apeli vjen në një kohë kur ka patur një reaksion nga shoqatat e emigrantëve, lidhur me mashtrimin e Edi Ramës duke mosngritur Ministrinë e Emigracionit, ndryshe nga sa iu kishte premtuar. “Miq, si thoni, a do te mundemi edhe njëherë të gjithë bashkë të tregojmë solidaritetin tonë? Si thoni, si emigrantë të Selanikut, a do të udhëtojmë edhe njëherë në Shqipëri për zgjedhjet e Korçës?”- thuhet në mesazhin e degës së PS në Selanik. Ndërkaq, komentet e emigrantëve janë nga më të zezat e mundshme, duke e akuzuar Edi Ramën dhe Niko Peleshin, njërin si mashtrues ordiner dhe tjetrin si të korruptuar. Pakënaqësitë nisën 3 ditë më parë kur Edi Rama prezantoi ekipin qeveritar dhe nuk përfshiu në të atë që kishte premtuar, Ministrinë e Emigracionit. Vetë emigrantët e cilësuan këtë si mashtrim nga kreu i PS, pasi vetë ky i fundit ka premtuar në takimet e zhvilluara me ta se nëse do të fitonte zgjedhjet, një nga axhendat kryesore politike të tij, do ishte pikërisht ngritja e një dikasteri me fokus emigrantët shqiptarë. Gjithsesi, si të gjithë shqiptarët, edhe emigrantët duhet të mësohen me këtë fakt. Edi Rama nuk bëri premtimet që t’i mbante ato, por thjeshtë për të marrë votat. Fushatën e tij elektorale e shoqëroi hipokrizia dhe e mbushi atë me premtime antiglobaliste si shëndetësia falas, heqja e taksave apo dhe krijimi i 300 mijë vende të reja pune, pa patur asnjë projekt konkret. Për herë të parë në historinë e vendit një qeveri krijon pakënaqësi në masë të madhe pa filluar ende punën. Ky është mesazhi më i mirë për të kuptuar se mazhoranca e sajuar s’do ta shtyjë gjatë praktikën e mashtrimit si ai para 23 qershorit, gjatë fushatës elektorale.