E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranes kontroll tregjeve per lendet plasese

Bashkia e Tiranës nisi një aksion në të gjithë qytetin për kontrollin e shitjes së lëndëve me rrezikshmëri, veçanërisht ato plasëse dhe helmuese.

Këto inspektime do të vijojnë në mënyrë periodike për të arritur një kontroll të plotë për standardet e sigurisë në tregtimin e këtyre lëndëve, për të garantuar jetën e qytetarëve.

“Aksioni është shtrirë në 4 pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është tregu çam, sheshi “Avni Rustemi”, tek Medreseja dhe më poshtë tek Stacioni i Trenit, 4 pika ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse.

Ne do të vazhdojmë kontrollet edhe për produkte të cilat kanë përbërje helmuese, kimike, insecticide, pesticide, në mënyrë që të rrisim standardin e shërbimit ndaj qytetarit të Tiranës dhe mbi të gjitha cilësinë dhe të sigurojmë jetën e tyre”, u shpreh drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi.

Aksioni po kryhet në bashkëpunim të plotë me strukturat e Zjarrfikësve si dhe të Policisë Bashkiake.

Drejtori i Zjarrfikësve, Dilaver Laçi u shpreh se do të bashkëpunohet ngushtë me Bashkinë e Tiranës për të parandaluar çdo lëndë ndezëse e tregtuar jashtë kushteve të lejuara me ligj.

“Së bashku me Policinë Bashkiake, Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit, ne do të vazhdojmë të kontrollojmë të gjithë bizneset. Pragu i vitit të Ri ka një rrezik të shtuar për fishekzjarrët dhe mjetet e tjera ndezëse. Për këtë arsye, në ditët në vijim do të ketë një kontroll më të rreptë nga ana e shërbimit Zjarrëfikës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ndërkohë që edhe me Policinë Bashkiake ka një bashkëpunim shumë të mire”, tha Laçi.

                                                                                                           ***

Më poshtë, prononcimi i plotë i Drejtorit për Mbrotjen e Agjensisë së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, z Geron Ibrahimi:

“Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës, së bashku me strukturat e tjera të pushtetit qendror, siç është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve dhe Policinë Bashkiake, me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve të Tiranës kanë ndërmarrë sot aksionin e radhës, për verifikimin e të gjithë problematikave, për parandalimin e të gjithë produkteve të rrezikshme që tregtohen në qytetin tonë.

Sot, aksioni është shtrirë në 4 pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është tregu çam, sheshi “Avni Rustemi”, tek Medreseja dhe më poshtë tek Stacioni i Trenit, 4 pika ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse. Ne do të vazhdojmë kontrollet edhe për produkte të cilat kanë përbërje helmuese, kimike, insecticide, pesticide, në mënyrë që të rrisim standartin e shërbimit ndaj qytetarit të Tiranës dhe mbi të gjitha cilësinë dhe të sigurojmë jetën e tyre”.

A i keni lajmëruar bizneset, për këto masa që po ndërmerrni?

“Ne, sistematikisht edhe në kontrollet rutinë që bëjmë i kemi paralajmëruar me akte kontrolli. Pardje dhe dje, Nënkryetari i Bashkisë ka deklaruar publikisht se do të ngrihen grupe kontrolli, për verifikimin e këtyre problemeve. Do të penalizojmë vetëm në rastet ekstreme, dhe jemi këtu për të mbrojtur edhe vetë bizneset nga problematikat. Siç keni vënë re, kohët e fundit ka pasur problematika edhe vetë biznesi, si pasojë e zjarreve e shkaktuara, kështu që jemi këtu për të këshilluar e edukuar, por në rastet ekstreme edhe për të penalizuar”.

Kë quani rast ekstrem?

“Kur janë kushte flagrante të shitjes së këtyre lëndëve plasëse, djegëse, jashtë standardeve minimale që garantojnë këto dhe kur janë në sasi të mëdha”.

Mund të bllokohen që në doganë?

“Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit përgjigjet për konsumatorin dhe qytetarin e Tiranës. Strukturat e tjera paralele bëjnë punën e tyre, ne bëjmë punën tonë”.

Cila është vlera e gjobës?

“Vlera e gjobës është relative, sepse variojnë sipas problematikave dhe në këtë moment, aksioni është në zhvillim e sipër. Unë nuk kam një të dhënë, se sa gjoba janë vënë deri tani apo në çfarë niveli janë, por në fund të ditës do ju njoftojmë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›