E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranes kontrollon tregjet merr masa per cilesine e produkteve

Bashkia e Tiranës nisi sot një inspektim të gjerë në të gjithë tregjet e kryeqytetit, për të verifikuar kushtet higjieno- sanitare.

Aksioni vjen pas një paralajmërimi të bërë javë më parë, sa i përket respektimit të afateve të vendosura, për të tregtuar në bazë të kushteve të përshtatshme.

Strukturat përkatëse të Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin Urban vendosën dhjetëra gjoba dhe mbajtën akte - bllokimi, ndaj subjekteve që tregtojnë produkte kimike.

U vendosën mbi 10 gjoba dhe disa bllokime, ndaj subjekteve të tregtimit të bombolave të gazit.

Njëkohësisht u morën masa shtrënguese dhe gjoba, edhe për subjektet e tregtimit të ushqimeve të cilat nuk respektonin kriteret higjieno - sanitare.

Drejtori i Kontrollit mbi Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi theksoi se strukturat përkatëse do të ndërhyjnë kudo ku shkelen rregullat e tregtimit dhe paralajmëroi për masa me gjobë.

“Sot, ne kemi nisur verifikimin e subjekteve tregtare pranë tregjeve, në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Ky është aksioni i dytë në nivel të gjerë, pas një aksioni fillestar, të bërë ditë më parë për paralajmërimin e subjekteve, që të tregtojnë në kushte të përshtatshme higjeno-sanitare si dhe po verifikojmë tregtimin e shitjes së produkteve të rrezikshme, helmet apo pesticidet.

Ne u bëjmë thirrje subjekteve, të respektojnë kushtet e duhura higjeno-sanitare, ndryshe do të përballen me masa penalizuese”.

Në fazën e kontrollit të parë u vërejtën mbi 50 subjekte të cilat nuk respektonin kushtet e duhura dhe morën paralajmërim.

Inspektorët e Kontrollit të Territorit Urban, të ndarë në 7 grupe kanë nisur verifikimin e tregjeve në Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim edhe me nivelin qendror, me strukturat e Drejtorisë së Zjarrfikësve dhe Policisë nga Zjarri.

Vijojnë aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje
Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik, në Bashkinë e Tiranës ndërmorri sot aksionin e radhës, për prishjen e një ndërtimi pa leje katër katësh, në zonën e Kombinatit.

Ndërtimi ishte bërë më muajt e fundit, pa respektuar asnjë kriter ligjor. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha ritheksoi mesazhin e tij për qytetarët e Tiranës, për të mos thyer ligjin.

“Ky është aksioni i radhës i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, për prishjen e ndërtimeve pa leje. U ribëj thirrje qytetarëve, të respektojnë ligjin dhe të mos harxhojnë mund dhe para kot, me ndërtime pa leje, pasi ligji do të veprojë mbi ta”, - tha Hoxha.

Drejtori tha më tej se aksionet janë shtuar në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›