Bashkia e Tiranës, lista false me zyrtarë që nuk kanë paguar taksat
Bashkia e Tiranës doli dje në një deklaratë për shtyp lidhur me taksat vendore dhe nuk tha asnjë fjalë për urdhrin ndaj gazetës “standard” për të mbyllur llogaritë e saj bankare. Ata nuk kanë kërkuar falje për vjedhjen që kanë dashur t’i bëjnë gazetës për dy vite rresht dhe falsifikimin e gjendjes së biznesit të kësaj gazete. “Standard” është e njohur si gazetë kritike ndaj Ramës dhe Bashkisë së Tiranës dhe nga ato pak media që nuk kalojnë në censurën e kryetarit të PS-së. Por, fakti se gazeta është kritike ndaj kryebashkiakut dhe transparente ndaj skandaleve të tij, nuk justifikon sulmet institucionale dhe politike ndaj kësaj gazete me qëllim bllokimin e aktivitetit të saj. Prej nëntë muajsh Bashkia e Tiranës heziton t’i paguajë gazetës një faturë për botim reklame në shumën 1.2 milion lekë.
Bashkia nuk mund t’i fshihet këtij sulmi ndaj një gazete të përditshme, ndër më të mëdhatë në Shqipëri, nëpërmjet një deklarimi bajat dje për mospagimin e taksave lokale nga disa prej zyrtarëve të qeverisë. Ne nuk marrim përsipër të sigurojmë se të gjithë ata që janë përfshirë në deklaratën e djeshme, i kanë paguar ato, por jemi të sigurt se një pjesë e deklaratës dhe listës së bashkisë janë të falsifikuara dhe një mashtrim.
Një ndër ministrat e publikuar nga Bashkia e Tiranës si mospagues taksash, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka publikuar dje faturën e pagesë së kësaj takse në minibashkinë nr. 5. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes hedh dyshime të forta për një skandal të ri të Bashkisë së Tiranës, fshirjen e regjistrave të taksapaguesve me qëllim grabitjen e taksës. Ndër të tjera, Imami thotë: “Taksat lokale janë paguar nga ana ime çdo vit, duke përfshirë edhe vitin 2009, brenda afatit të parashikuar dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga libreza e taksave vendore”. Mungesa e këtyre të dhënave në Bashkinë e Tiranës, sipas ministrit të Mbrojtjes, tregon për mosfunksionim të sistemit kompjuterik me qëllime për të instrumentalizuar opinionin publik. Sipas tij, zhdukja e të dhënave nga sistemi kompjuterik tregon se çfarë sigurie kanë qytetarët e Tiranës në shërbimet e bashkisë. “Nëse një qytetar paguan taksat dhe nuk ruan librezën, ai është i detyruar të paguajë sërish, pasi bashkia nuk ruan rekordet dhe sistemi kompjuterik është jashtë funksionit. Ky është një rast për të kuptuar se si grabit qytetarët Bashkia e Tiranës”, - përfundon Imami.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se si një qytetar i lirë i vendit mund të zgjedhë vetë datën e pagesës së taksës deri në ditën e fundit të këtij viti. Nëse nuk paguhet taksa deri atëherë, bashkisë i lind e drejta të kërkojë pagesën e saj, shprehet ai.