Ndërkombëtarët, apel PS-së: Dialogu, për hir të integrimit
Diplomatët e huaj shtojnë apelin e vendosjes së dialogut mes socialistëve dhe demokratëve, duke mos ngurruar të paralajmërojnë se vijimi i situatës mund të cenojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Edhe dje ndërkombëtarët përsëritën thirrjet për politikën shqiptare për të gjetur rrugën e konsensusit në të mirën e zhvillimit të vendit. Në një aktivitet të organizuar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, zv.ambasadorja britanike vuri në dukje se palët politike në Shqipëri duhet të gjejnë dialogun, duke paralajmëruar se vijimi i krizës mund të ketë pasoja për Shqipërinë. “Duhet dialog për të zgjidhur krizën politike. Kjo situatë mund ta nxjerrë nga binarët demokracinë në vendin tuaj”, - theksoi diplomatja britanike. Në një tryezë për pjesëmarrjen e grave në politikë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, por dhe ai holandez, deklaruan edhe një herë se politika shqiptare duhet të ulë replikat. Shqetësues sipas diplomatëve është niveli shumë i ulët i përfaqësimit të gruas në vendimmarrje. “Situata e përfaqësimit të grave në strukturat vendimmarrëse është ende shumë larg prej asaj që duhet të jetë. Ka disa përpjekje, por jeni ende shumë larg. Duhet të kuptoni se kur luftoni për të drejtat tuaja, nuk jeni as demokrate dhe as socialiste, as të majta e as të djathta, por jeni të një qëllimi të përbashkët”, - theksoi ambasadori i OSBE-së. “Mbetet shumë për t’u bërë, pasi Shqipëria ka përqindjen më të ulët në Evropë për numrin e femrave të zgjedhura në Kuvend. Thelbësore është të hiqet dorë nga apatia se femrat nuk mund të bëjnë dot asgjë në politikë. Duhet dhe vullnet nga partitë politike në ristrukturimin e tyre në favor të përfaqësimit të gjinisë femërore”, - u shpreh ambasadori holandez. Viti 2009 po mbyllet me marrëdhënie të acaruara dhe mungesën totale të dialogut në politikën shqiptare.