E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës masa për sigurinë në shkollat e kryeqytetit

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë punimesh për sigurinë në shkollat e kryeqytetit, përpara fillimit të vitit të ri mësimor. Sipas një njoftimi të Bashkisë është vendosur sinjalistika dhe vijëzimet në 24 shkolla, për të rregulluar trafikun e makinave. Gjithashtu, janë vendosur dhe kangjellat rrethuese për të rritur sigurinë e nxënësve.

“Nga ana jonë është bërë e mundur marrja e masave për sigurinë e fëmijëve në ato shkolla që ndodhen në rrugët kryesore dhe hyrja dhe dalja nga to përbën një problem për nxënësit. Bashkia e Tiranës nuk do të mjaftohet vetëm me këto masa të marra në fillim të vitit të ri shkollor por do të vijojë me zgjidhjen e të gjitha problemeve që mund të hasen gjatë vitit”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, z.Taulant Zeneli.

Gjithashtu, administrata e Bashkisë së Tiranës po kryen edhe veprime të tjera që kanë të bëjnë me rikonstruksione, si lyerje, heqje lagështire, apo rregullime të sistemit të ngrohjes. Falë ndërhyrjeve të Bashkisë, do të fillojnë vitin e ri mësimor 3 shkolla në kryeqytet, “Ahmet Gashi”, “Servete Maqi” dhe “Siri Kodra”. Këto shkolla ishin mbyllur nga Instituti i Shëndetit Publik për shkak të mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›