E Diel, 1 Nëntor 2026

11 Shtatori, Berisha: Bin Ladenët morën ndëshkimin e merituar

TIRANE- Me anë të një mesazhi të bërë publik për mediat kryeministri Sali Berisha ka përkujtuar 10-vjetorin e tragjedinisë së 11 Shtatorit. Duke shprehur nderimin e thellë ndaj viktimave e familjeve të tyre, Berisha tha se flamuri amerikan që terroristët donin ta përulnin, valëvitet më i lirë se kurrë, sot pas 10 vjetësh.

“Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemëve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet më parë nga sulmi barbar terrorist në New York, Washington dhe në Pensilvani. Me këtë akt terrorist, me mizorin në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, flamurin e vendit më të lirë e më të fuqishëm të planetit. Sot pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë”, tha Berisha.

Në mesazhin e tij kryeministri Berisha u shpreh se terroristët me ideatorin e tyre Bin Laden morën ndëshkimin e merituar.
“Sot, pas 10 vjetësh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar”, vijoi kryemnistri.

Kreu i qeverisë nuk nguroi ta rendisë Shqipërinë në krah të vendeve që i kanë shpallur luftë terrorizmit, në krah të aleates së tyre të madhe, sic tha ai, Amerikës.
“Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qendrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj. 11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qendrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të cdo lloji e të cdo ngjyre”, përfundoi Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›