E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës nis kontrollet në tregje

Drejtoria e Kontrollit Urban dhe Kontrollit Veterinar Zooteknik dhe ai joushqimor në Bashkinë e Tiranës, së bashku me Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ushtruan kontrolle në tregun e “Pazarit të Ri”, ku dhjetë ditë më parë specialistë të këtyre strukturave, u lanë detyra subjekteve që të merrnin masat e nevojshme për plotësimin e kushteve të përshtatshme të tregtimit.

"Deri tani në të gjitha tregjet, kemi proceduar me masën e ndëshkimit me gjobë, disa subjekte të lëndëve të rrezikshme dhe kemi evidentuar disa dhjetëra  subjekte që tregtojnë produkte ushqimore në kushte të papërshtatshme. Po kryhen kontrollet dhe shumë shpejt do të kemi një numër për subjektet që do të sanksionohen sipas ligjit", tha drejtori i Kontrollit Urban të Bashkisë së Tiranës, Geron Ibrahimi.

Sipas tij, gjatë muajit gusht janë evidentuar disa spekulime me çmimet që ofrojnë subjekte të ndryshme tregtare. Nga kontrollet e ushtruar, u konstatua një diferencë mes çmimeve të shpallura për artikuj dhe shërbime, krahasuar me çmimet që faktikisht u ngarkohen në fatura qytetarëve të Tiranës.  Bashkia e Tiranës, ka evidentuar tashmë dhjetëra raste abuzimesh si dhe ka identifikuar subjektet e përfshira, të cilave u ka kërkuar të rakordojnë çmimet e shpallura për mallrat dhe shërbimet.

"Nëse nuk janë marrë masat, këta operatorë do të përballen me sanksione të parashikuara në ligj", theksoi Ibrahimi, sipas të cilit, "Bashkia do të bëjë shpalljen e menjëhershme publike të këtyre njësive dhe personave përgjegjës për këtë sjellje në dëm të konsumatorit kryeqytetas". Inspektorati i Bashkisë, ka konstatuar dhjetëra subjekte që tregtojnë bombola gazi, përkrah artikujve të tjerë ushqimorë dhe jo ushqimore, nga të cilët vetëm 3 kanë autorizimin përkatës. Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, ka paralajmëruar se do t’i penalizojnë këto shkelje, nëse subjektet nuk do të respektojnë afatin që u është lënë nga autoritetet deri në datën 1 shtator. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-03 14:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›