E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës nis zbatimin e skemës së faljes së detyrimeve, përcaktohen kushtet për përfituesit

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e ligjit për faljen e detyrimeve të papaguara, duke përcaktuar kushtet dhe mënyrën se si qytetarët dhe bizneset mund të përfitojnë lehtësimet fiskale të parashikuara në skemë.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave publikoi udhëzimin, i cili ndan detyrimet sipas periudhave kohore dhe përcakton masën e faljes apo të pagesës për secilën kategori.

Sipas udhëzimit, detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, pa ndërhyrje nga debitorët. Për të përfituar, bizneset duhet të mos kenë proces penal apo administrativ të hapur ndaj administratës tatimore dhe doganore.

Për detyrimet e periudhës 2015-2019, parashikohen dy opsione: pagesa e 50% të principalit deri më 30 qershor 2026, me faljen e pjesës tjetër, ose pagesa e 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, me faljen e pjesës së mbetur. Në të dy rastet falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.

Për detyrimet e viteve 2020-2024, kërkohet shlyerja e plotë e principalit, ndërsa falen penalitetet.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›