Bashkia e Tiranës pa para, rrezikon pastrimi i qytetit
Bashkia e kryeqytetit ndodhet në vështirësi financiare. Deri në çeljen e fondeve të reja, punonjësit dhe drejtuesit e sektorëve nuk marrin dot iniciativa as për blerjet më të thjeshta kancelarike që mund tu duhen zyrave.
Problemet financiare tanimë janë bërë të njohura pothuajse për të gjithë punonjësit e qeverisë vendore, të cilët nuk janë të sigurt nëse ditët e para të shatorit do të paguhen apo jo. Veç qindra punonjësve të bashkisë, mijëra qytetarë kryeqytetas rrezikojnë të jetojnë në një qytet të ndotur. Kjo, pasi firmat e kontraktuara nga bashkia nuk janë paguar për punën e kryer për dy muajt e fundit. Madje, tenderi për pastrimin e pjesës lindore të qytetit tanimë ka dështuar dhe nuk dihet se kur do të rifillojnë procedurat e reja.
Lajmi është konfirmuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, ku në buletinin e fundit të publikuar nga ky institucion, anulimi i tenderit të pastrimit me autoritet kontraktor bashkinë është një nga të vetmet procedura me më pak sqarime krahasuar me procedurat e institucioneve të tjera.
Gjendja aktuale e financave të bashkisë është vetëm 140 milionë lekë, ose rreth 1.5 milionë dollarë. Sipas institucionit, i gjithë granti i qeverisë prej 870 milionë lekësh është shpenzuar në 6 muajt e parë./Shqip/