“Bashkia e Tiranës, shembull i zhvillimit”
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni deklaroi dje se, zhvillimi rajonal është një prioritet madhor i kësaj qeverie. I pranishëm në seminarin Ndërkombëtar me temë: “Statusi i Rajonalizimit në Shqipëri: Progresi dhe Sfidat”, organizuar në Tiranë, zëvendësministri Poni tha se, “përmirësimi institucional i njësive rajonale të pushtetit është objektiv madhor”. Ky takim me përfaqësues të institucioneve financiare vendase dhe të huaja, për të diskutuar rreth zhvillimit rajonal në vendin tonë, zhvillohet në kuadër të të Presidencës së Këshillit të Europës. “Duhet ta transformojmë thelbësisht të drejtën e Qarkut si përgjegjës për zhvillimin rajonal, për të krijuar apo përmirësuar agjencitë e zhvillimit rajonal dhe për t’i kthyer ato në qendra të vërteta të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Poni.
Sipas tij, prioriteti i qeverisë për një qeverisje gjithmonë e më shumë efektive, një qeverisje të bazuar mbi plane të qarta zhvillimi, të harmonizuara me praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm, kërkon kontribute në shërbimet publike, biznesin privat dhe shoqërinë civile, shumë më tepër të konceptuara në nivelin rajonal. “Unifikimi i praktikave me partnerët tanë si Italinë, Austrinë, Zvicrën, Gjermaninë, Francën, Spanjën etj, kërkon padyshim që niveli rajonal të jetë një partner i denjë, si dhe të konsolidojë hap pas hapit praktikat e mira që ne kemi në këtë nivel në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Kukës, Elbasan, Durrës etj”, tha Poni.
Zëvendësministri i Brendshëm vlerësoi gjithashtu se Bashkia e Tiranës me projektet për një kryeqytet modern ka treguar se përmes bashkëpunimit mund të shkohet përtej zhvillimit lokal. Sipas tij, vendi ynë po konsolidon reformat e ndërmarra për një qeverisje të vogël, transparente, dixhitale dhe gjithnjë në shërbim të qytetarëve.