Rezultate pozitive në luftën e antidrogës - janë zbuluar 86.5 % e ngjarjeve kriminale

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka merr pjesë në analizën e punës 6-mujore të Policisë së Qarkut Tiranë
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi dje si prioritet madhor, luftën pa kompromis kundër krimit në përgjithësi, e korrupsionit në veçanti. Gjatë analizës për punën e bërë në 6 mujorin e pare të vitit, nga Policia e Qarkut Tiranë, Noka tha se “lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një tjetër prioritet në punën tuaj, dhe të vijohet puna me intensitet më të lartë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike”.
Duke iu drejtuar trupës policore, ministri Noka kërkoi rritjen e forcës goditëse kundër çdo krimi, personave të inkriminuar dhe sidomos evidentimin në kohë dhe profesionalizëm të çdo ngjarjeje. “Kërkoj angazhim maksimal për evidentimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në rastet e vjedhjes së pronës, në veçanti të vjedhjes së automjeteve, banesave dhe lokaleve, në mënyrë që ky fenomen të hiqet nga lista e shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës”, tha Noka.
“Nga ju kërkohet menaxhim ligjor më e fikas i konflikteve në tërësi dhe, në veçanti, të konflikteve të pronësisë, të cilat në shumë raste kanë sjellë si pasojë degjenerimin e tyre deri në ngjarje kriminale me pasoja të rënda për jetën e shtetasve tanë”- ai.
Referuar situatës rrugore, Noka e vuri theksin te zbatimi me rigorozitet i ligjit lidhur me masat parandaluese dhe jo vetëm ndëshkimore ndaj shkelësve të Kodit Rrugor .
Sa i takon problematikes se ndotjes akustike, Noka kërkoi që të zbatohet dhe të ndiqet me rigorozitet maksimal, Akti Normativ i Qeverisë për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare.
Kreu i ministrisë së Brendshme, Flamur Noka përshëndeti efektivet e Policisë së Qarkut Tiranë, për punën e mirë të bërë në funksion te ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Duke i’u referuar rezultateve të arritura në luftën kundër krimit, tha se, “Kryeqyteti ynë, Tirana, sot është një qytet i sigurt, dhe për këtë edhe strukturat e Policisë kanë një meritë të veçantë”.