E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia firmos marrëveshjen për kreditë studentore, ja kush përfiton

Kreu i Bashkise Lulzim Basha me drejtorin e BKT Seyhan PencabligilTashmë çdo qytetar i Tiranës nga mosha 23 deri në 35 vjeç që kërkon të hap një biznes të ri apo të zgjerojë atë aktual, mund të përfitojë nga fondi i garancive vënë në dispozicion për herë të parë nga Bashkia e Tiranës, në formën e një kredie.

Marrëveshja bankare

Pas një gare mes bankave të nivelit të dytë që operojnë në qytetin e Tiranës, Bashkia ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare, për hapjen e fondit të garancive, hapjen e mundësive të reja për kreditim, për qytetarët e rinj të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nënshkruar dje marrëveshjen me drejtorin e BKT Seyhan Pencabligil. Fondi i garancive është një tjetër iniciativë e kryebashkiakut Basha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qytetin e Tiranës.

Kreditë

Këto kredi do të jepen nëpërmjet garancisë së Bashkisë së Tiranës, janë garanci që kanë një vlerë prej afro 1 milionë dollarësh dhe jepen me interes pothuajse dy deri tre herë më të ulët se norma, në treg. Pra, në qoftë se në treg, kreditë në rastin e financimit të bizneseve të vogla apo të mesme, ekzistuese apo të reja variojnë nga 11 deri 15%, sipas kësaj marrëveshje, ata që do të përfitojnë, qytetarët nga mosha 23 deri 35 vjeç, banorë të qytetit të Tiranës do të paguajnë një normë interesi 5 deri 5.5%, kjo në varësi të faktorëve të riskut të biznesit që propozojnë të hapin apo që kanë të hapur dhe do të konsolidojnë, u shpreh z. Basha.

Përfituesit

 Përfitues të fondit të garancive do të jenë biznese të vogla dhe të mesme të cilat konsiderohen dhe si gjeneratorë të punësimin në Bashkinë e Tiranës. Me prioritet do të përfitojnë bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, biznese me sipërmarrëse femra, me sipërmarrës të rinj, projekte të teknologjisë dhe informacionit dhe me mundësi krijimi punësimi, përveç vetëpunësimit. Bëhet fjalë për kredi deri në masën 50 milionë lekë të vjetra, 5 milionë lekë të reja. Bëhet fjalë për disa kategori biznesesh, që përfshijnë tregtinë me pakicë e shumicë të materialeve e produkteve të ndryshme, përfshirë profesionet e ndryshme, marangoz, rrobaqepës, këpucar, të tjerë. Profesione si avokat, jurist, dentist, mjekë, kontabilistë, ekspert, dyqane veshmbathje, këpucësh, bar, restorant, internet kafe, kënde lojërash, biznese që operojnë në fushën e teknologjisë, informacionit, sipërmarrje artizanale, punime me dorë, dyqane lulesh, zbukurimesh, fusha sportive, njësi tregtare të shumëllojshme, njësi prodhimi të vogla. Me prioritet bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa drejtori i BKT u shpreh i bindur se ky bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, i pari i këtij lloji në Shqipëri do të shënojë një tjetër histori suksesi, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qytetin e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›