E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia kërkon nga prokuroria hetimin e shpifjeve ndaj kryetarit Rama

22/07/2010 Ndërmjet 10 padive të depozituara gjendet edhe ajo për ministrin Prifti

Seriani: Politika e përbaltjes nuk mund të sundojë mbi ligjin

Nuk ka të ndalur konflikti i lindur ndërmjet pushtetit vendor dhe dikastereve qeveritare. Gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës Florian Seriani ka depozituar pranë prokurorisë së Tiranës listën e padive të ngritura kundrejt të gjithë krerëve të mazhorancës që kanë akuzuar padrejtësisht kryetarin e Bashkisë Edi Rama gjatë kohëve të fundit. Zëdhënësi i Bashkisë ndër të tjera i ka bërë thirrje prokurorisë së kryeqytetit që të hetojë të gjitha aktpaditë dhe të zbardhë të vërtetën e akuzave në dëm të kryebashkiakut Rama, pasi qytetarët që e kanë votuar Ramën për kaq vjet në krye të bashkisë më të madhe në vend kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën mbi akuzat e padenja. Ndërmjet shumë të paditurve që kanë ngritur akuza të rreme kundrejt kryebashkiakut Rama qëndron edhe ajo për ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti për fyerjet e drejtuara ndaj kreut të bashkisë. Gjithashtu Seriani kërkoi të bëhet hetim për kallëzimet e bëra ndaj Berishës, Olldashit, Bumçit, Bogdanit, Ponit, Mimës, Përnaskës, Dollapit, Petushit dhe Hoxhallit. "Politika e vjetër e përbaltjes nuk mund të sundojë mbi ligjin. Qytetarët duhet të dinë të vërtetën për çdo funksionar të shtetit", - është shprehur më tej zëdhënësi i bashkisë. Ndërkohë po gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e së majtës kanë shtuar dozat e akuzave ndaj ministrit të Ekonomisë, duke deklaruar: “Publiku shqiptar duhet të njihet me faktin se njeriu që gjoja bleu aksionet e Priftit në gjoja fabrikën e tullave për 1.8 milion euro është emëruar nga Prifti që nga shtatori 2009 anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Pra, Dritan Prifti merr detyrën e tij si ministër më 17 shtator 2009 dhe vetëm një javë më pas, më 23 shtator 2009, ai emëron kushëririn e ministrit Vasili, biznesmenin Rasim Hamzaraj, anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të OST-së. Nuk duhet harruar se OST-ja është një monopol i qeverisë, i drejtuar nga Dritan Prifti si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës.”

Paditë

Ndërmjet shumë të paditurve që kanë ngritur akuza të rreme kundrejt kryebashkiakut Rama qëndron edhe ajo për ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti. Gjithashtu Seriani kërkoi që të bëhet hetim për kallëzimet e bëra ndaj Berishës, Olldashit, Bumçit, Bogdanit, Ponit, Mimës, Përnaskës, Dollapit, Petushit dhe Hoxhallit.

Reagimi

“Edhe përfitim i paligjshëm në shuma të mëdha, edhe evazion fiskal në shuma të mëdha, edhe konflikt interesi në përmasa të mëdha. Madje, pasi kapet publikisht duke vjedhur e shkelur disa ligje njëherësh, Prifti lëshohet si rrugaç nëpër ekrane, duke degjeneruar imazhin e zyrtarit të lartë të shtetit me një fjalor të ulët.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›