E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterplani për qendrën nuk u mbrojt nga studioja që e hartoi

22/07/2010 Korçë, flet pas hedhjes poshtë të projektit arkitekti Ilir Voci: Fyerjet, padi në gjykatë

KORÇE- Arkitekti Ilir Voci, në të njëjtën kohë edhe anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Korçë ka hedhur dyshimin se masterplani për qendrën e qytetit të Korçës mund të jetë produkt i studiove okulte. Këtë dyshim Voci e ngre në saj të arsyetimit mbi dy elemente të organizimit të mbledhjes së KRRT-s. Së pari, përse, studioja projektuese nuk ishte e pranishme në mbledhje për mbrojtjen e masterplanit të hartuar prej saj, dhe së dyti, përse anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit nuk ju dha mundësia të njiheshin më parë me materialet e këtij projekti. Ndërkaq, arkitekti Ilir Voci bëri të ditur gjithashtu se, për sa u përket akuzave personale të bëra gjatë mbledhjes nga ana e Kryetarit të Bashkisë Niko Peleshi, ato do t’i zgjidhin në organet përkatëse. Gjithsesi, në lidhje me dyshimet e tij dhe organizimin e mbledhjes së KRRT-s, Voci u shpreh: “Mbledhja e KRRT-s ishte një mbledhje e paorganizuar mirë për faktin se pretendohet që projekti kishte mbërritur në bashkinë e qytetit ditën e premte, ndërsa anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit u lajmëruan me nxitim ditën e martë, por pa iu dhënë, ndërkohë anëtarëve të KRRT-s, asnjë material shpjegues mbi projektin që do të shqyrtohej. Për këtë arsye, si anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit, e ngrita këtë shqetësim, pa hyrë fare në themelin e projektit. Shqetësimi im kishte të bënte me faktin se, përse firma fituese nuk ishte prezente në ditën e prezantimit të këtij projekti kaq të rëndësishëm. Megjithatë, pyetjes time të thjeshtë, Niko Peleshi iu përgjigj me një humbje totale të qetësisë, gjë që nuk është normale për një titullar kaq të rëndësishëm, siç është kryetari i bashkisë. Dhe veç kësaj, ai kaloi nga diskutimi mbi problemin për të cilin ishim mbledhur, në diskutime personale. I them kryetarit të bashkisë se, diskutimet për probleme personale dhe ato që tha në adresën time do t’i zgjidhim në organin përkatës, ndërsa për të tjerat dëshiroj t’i them që, t’u japë kohë të gjithë specialistëve, arkitektëve dhe inxhinierëve të KRRT-s së qytetit që ata të kenë mundësi që, për një vendim kaq të rëndësishëm për Korçën, pasi të kenë dëgjuar studion projektuese, e cila mbron me bindje projektin e ardhur, të jenë koshientë për vendimin që do të marrin, pasi në të kundërt na lind dyshimi të mendojmë se ky produkt mund të jetë produkt i studiove okulte, të cilët nuk denjojnë as të vijnë të mbrojnë projektin në KRRT e qytetit. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›