E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia përcakton datat për pagesën e detyrimeve të biznesit

Afatet përfundimtare të pagesës së taksave të bizneseve të vogla. Sanksionet në rastet e mosrespektimit të afateve për të gjitha kategoritë

Emanuela Sako

Tiranë - Përcaktohen datat e sakta për shlyerjen e taksave vendore dhe të bizneseve nga të gjithë taksapaguesit. Bashika e Tiranës ka bërë të ditur datat për pagesën e detyrimeve vendore, që kanë të bëjnë me detyrimet e bizneseve të vogla për vitin 2008. Bashkia ka deklaruar se afati i fundit i shlyerjes së këtyre pagesave do të jetë 20 prilli për pagesën e këstit të parë, 30 qershori për pagesën e këstit të dytë dhe 20 tetori për këstin e tretë. Ndaj atyre që nuk tregojnë korrektësi në datat e caktuara do të merren masa penalizuese nga Bashkia e Tiranës. Bashkia ka detajuar mënyrën e shlyerjes së detyrimeve vendore dhe ka njohur qytetarët për mënyrat e procedimit në disa raste. Kështu, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore ka njoftuar se në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor për shkak të mungesës së adresës ose adresës së gabuar, qytetarët janë të detyruar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, duke filluar që nga data 10 prill e këtij viti. Për të shtyrë bizneset të paguajnë në kohën e caktuar, Bashkia ka vendosur përfitime për ata që zbatojnë datat. Në rast se taksat paguhen brenda afatit të caktuar, biznesi përfiton 10% ulje të detyrimit fiskal. Në rast të kundërt gjobitet me vlerën 25% të vlerës së taksës.
Taksat
Lidhur me këtë çështje, në 2008-n Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi paketën fiskale që kryeqyteti do të përdorë deri në vitin 2010. Sipas paketës fiskale, një pjesë e taksave ekzistuese pëson rritje. Përsa i përket pastrimit të qytetit, taksa e pastrimit do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu, taksa e pastrimit për këtë vit është 4000 lekë dhe do të bëhet 5 000 lekë në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon në mënyrë progresive deri në vitin 2010, duke u bërë 400 lekë për 2009-n dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset, ato janë pak më të larta. Për vitin në të cilin ndodhemi, kjo tarifë shkon në vlerën e 4 mijë lekëve. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është me e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi, është 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin që të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit, si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Sanksionet
Bizneset që nuk do të tregohen korrekt me shlyerjen e detyrimeve do të jenë të detyruar të paguajnë më tepër se më parë. Kjo, sepse vlera e parave shtohet në masën 25 për qind të detyrimit të papaguar në afat. Të gjithë pronarëve të bizneseve të mëdha apo të vogla u bie shumë më shtrenjtë në rast se nuk tregohen korrektë me rregullat ligjore të Bashkisë. Nëse një biznes i madh, i vogël, apo edhe bizneset familjare, i paguajnë taksat para afatit të përcaktuar, do të përfitojnë deri në 10 për qind ulje të vlerës së totalit të taksave dhe tarifave vendore. Bashkia e Tiranës ka marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë neglizhuar rregulloren, ku numri i bizneseve nuk ka qenë i paktë. Ndërsa masat për familjarët nuk kanë të bëjnë me shuma parash, por atyre nuk u ofrohet shërbimi në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve.

Procedurat që ndiqen në rastet kur nuk paguhen taksat

Në disa raste, bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Kështu, etapat janë këto: Njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë): Urdhër bllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat): Bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë bashkia është sekuestrimi i pasurisë si hap i fundit ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.

Rregullorja që përcakton pagesën e detyrimeve për familjarët

Detyrimi për tarifën e pastrimit është vjetor. Për kategorinë e parë, që janë familjarët, detyrimi paguhet në 2 këste. Kësti i parë duhej të ishte paguar brenda datës 30 prill, ndërsa kësti i dytë brenda datës 30 shtator. Për çdo familje të krijuar rishtas, afati i pagesës së tarifës së pastrimit do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në zyrën e gjendjes civile të njësisë bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji kur është bërë regjistrimi i saj. Për familjarët, detyrimi llogaritet dhe paguhet për familje. Për të llogaritur detyrimin për tarifën, familjarët duhet të paraqesin pranë agjentit tatimor përkatës certifikatën e gjendjes familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›