E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, problematika për shkak të buxhetit të munguar

01/02/2011  Problemet me ngrohjen në shkolla

Problemet e shfaqura me sistemin e ngrohjes në çerdhe, kopshte dhe shkolla janë krijuar si pasojë e mungesës së buxhetit të kryeqytetit. Pas shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e shkollave, specialistët e Bashkisë pohojnë se për shkak të mosmiratimit të buxhetit që nga viti i shkuar sigurimi dhe përdorimi i fondeve ka qenë i kushtëzuar. Megjithatë, pohohet se po merren masat për të shmangur këtë problematikë.

Për të dytin vit radhazi Bashkia e Tiranës po operon pa një buxhet të miratuar, pasi Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar as buxhetin e vitit 2010 dhe as atë të vitit 2011. “Në këto kushte, Bashkia dhe institucionet që varen prej saj janë detyruar të operojnë në kushtet e një buxheti të përkohshëm, i cili autorizon përdorimin e fondeve në masën 1/12 e shpenzimeve faktike të vitit paraardhës. Kjo situatë ka bërë të domosdoshme nevojën për racionalizimin e shpenzimeve në përmbushjen e shërbimeve më prioritare për komunitetin dhe qytetarët, duke siguruar ushtrimin në përputhje me ligjin të funksioneve dhe përgjegjësive të institucioneve për ofrimin e të mirave dhe të shërbimeve, përfshirë edhe zbatimin e projekteve të investimeve në vazhdim”, - konfirmohet nga bashkia. Në këtë mënyrë, janë marrë masa të menjëhershme dhe duke bërë një menaxhim sa më të mirë të fondeve, po realizohet furnizimi me karburant i çerdheve, kopshteve e shkollave. Limitet mujore të shpenzimeve të karburantit për ngrohjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave për periudhën dhjetor 2010–mars 2011 e kapërcejnë masën e lejuar (1/12 e shpenzimeve faktike të vitit paraardhës). Kjo është më se e kuptueshme, po të kemi parasysh se periudha në fjalë është më e ftohta e sezonit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›